Lidhje

SHBA, a do të rishikohen teknikat e marrjes në pyetje?


Gazeta New York Times dhe agjencia e lajmeve Associated Press thanë se kanë kopjen e një projekt-urdhëri ekzekutiv, që tregon se presidenti Donald Trump mund të rishikojë mënyrat se si merren në pyetje nga autoritetet amerikane personat e dyshuar për terrorizëm.

Sipas njoftimit, i cili shkaktoi paqartësi në Uashington, dokumenti thuhet se po qarkullon mes zyrtarëve të lartë të administratës.

Urdhri ekzekutiv i supozuar parashikon të mbajë hapur burgun amerikan në Gjirin Guantanamo të Kubës, ku aktualisht ndodhen 41 persona të dyshuar për terrorizëm.

Zëdhënësi Sean Spicer u tha dje gazetarëve se fjala nuk është për një “dokument të Shtëpisë së Bardhë", por nuk dha sqarime të mëtejshme.

Ish-presidenti Barack Obama e ka kritikuar mbajtjen e burgut të Guantanamos, duke thënë se përdorimi i të ashtuquajturave “teknika intensive të marrjes në pyetje" të përdorura nga CIA shërbejnë si mjet rekrutimi për terroristë nga ana e Shtetit Islamik.

Urdhri i supozuar kërkon gjithashtu rihapjen e të ashtuquajturave "objekte të errëta", burgje të përdorur nga CIA jashtë Shteteve të Bashkuara, ku janë marrë në pyetje terroristë të arrestuar.

Zoti Obama i mbylli këto burgje, por dështoi në përpjekjet për të mbyllur Guantanamon.

Sipas burimeve të mësipërme, dokumenti kërkon zbatimin me rreptësi të ligjeve dhe hedh poshtë qartë përdorimin e "torturës".

Gjatë fushatës presidenciale, zoti Trump u shpreh për rikthimin e metodës së simulimit me mbytje, një lloj teknike e ashpër e marrjes në pyetje, e cila u ndalua nga ish-Presidenti Obama dhe që tani është e ndaluar me ligj në SHBA.

Sekretari i ri i Mbrojtjes, James Mattis ka thënë se përdorimi i torturës nuk ka gjasa të parandalojë sulme terroriste në të ardhmen.

SHQETËSIM NË EVROPË

Mundësia që SHBA të rifillojnë përdorimin e teknikave të ndaluara të marrjes në pyetje, siç është simulimi me mbytje, rihapja e mundshme nga CIA e objekteve jashtë vendit për përpunimin e personave të dyshuar si terroristë si dhe gjuha e ashpër e Presidentit Donald Trump për luftën kundër terrorizmit kanë shtuar alarmet në Evropë.

Në Londër, përplasja ka qenë e ashpër, duke e komplikuar vizitën e Kryeministres britanike, Theresa May në Uashington, ku ajo shpreson të fillojë procesin e forcimit të lidhjeve mes Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, tani që Londra është shkëputur nga Bashkimi Evropian.

Konservatorë të lartë në pushtet të zonjës May dhe udhëheqës të opozitës, si dhe personalitetete të famshme si autoren J.K. Rowling të serialit Harry Potter, kanë kritikuar komentet e bëra nga zoti Trump për rrjetin CNN se "tortura funksionon."

Ata kanë shprehur pakënaqësi ndaj njoftimeve të medias, nga të cilat del se administrata e re mund të shikojë mundësinë për rihapjen e burgjeve sekrete të CIA-s jashtë vendit për marrjen në pyetjeve të personave që dyshohen si terroristë.

XS
SM
MD
LG