Lidhje

BDI ende pa vendim


Ali Ahmeti
Ali Ahmeti
Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka mundur të vendosë në një takim që zgjati pesë orë midis kryetarit Ali Ahmeti dhe nënkryetarëve të parties, në lidhje me krijimin e qeverisë së re. Partia shqiptare është në dilemë të madhe: të heqë dorë nga partneriteti nëntëvjeçar me VMRO-në për ta bërë qeverinë me Lidhjen Social Demokrate, për të cilën nuk ka preferenca, sidomos tash që ajo mori dhjetra mijëra vota të shqiptarëve duke ia përgjysmuar mandatet në parlament BDI-së.

Nga ana tjetër, disa nga nënkryetarët e BDI-së hapur janë deklaruar kundër koalicionit me VMRO-DPMNE-në. Një nga ta, Nevzat Bejta, i cili është dhe kryetar i komunës së Gostivarit, është më i zëshmi kundër pjësëmarrjes në qeveri me VMRO-në. Ndërsa, Teuta Arifi, nënkryetarja tjetër e BDI-së dhe kryetare e Komunës së Tetovës, është shprehur se parimi ‘fituesi me fituesin’, të cilin e promovon partia e saj, nuk ka mbështetje dhe as nuk është ligjore. BDI-ja madje nuk e përfaqëson shumicën e vullnetit të shqiptarëve në Maqedoni, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, prej nga doli me dhjetë deputetë, u ka thënë mjeteve të informimit zonja Arifi. BDI-ja në zgjedhjet e vitit 2014 kishte 19 ligjvënës.

Pas takimit të sontëm, zëdhënësi Bujar Osmani u tha gazetarëve se “ende po analizohen të gjitha opsionet në tryezë, të gjitha argumentet për dhe kundër. E dimë se afatet janë të shkurtëra, por nuk kemi një vendim”, tha z. Osmani.
Mandatari për formimin e qeverisë së Maqedonisë, Nikolla Gruevski (VMRO-DPMNE) ka afat deri të dielën, 29 janar për formimin e kabinetit. Në të kundërt, ai duhet ta kthejë mandatin, por ajo që është shumë e diskutueshme në qarqet e ekspertëve ligjorë është se kujt duhet presidenti i vendit t’ia japë mandatin më pas.

Njohës të çështjeve ligjore për afërsinë me pushtetin thonë se mandati mund t’i jepet një përfaqësuesi tjetër të VMRO-DPMNE-së, si parti që doli me më numër më të madh deputetësh (51) nga zgjedhjet e dhjetorit. Ndërsa, të tjerë janë kategorik se nëse Gruevski nuk e formon dot qeverinë, mandati duhet t’i kalojë partisë së dytë më të madhe, në këtë rast Lidhjes Social Demokrate.

Partitë pretendente për kabinetin qeveritar nuk kanë formuar grupe pune për bisedime, ndërkohë që zyrtarisht vetëm një takim është mbajtur në mes Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit, si dhe Ahmeti – Zaev. Nga burime brenda partive thuhet se VMRO-ja mund të pajtohet me dhënien e pozitës së kryetarit të Parlamentit BDI-së, eventualisht dhe ministrinë e Financave si nga më të rëndësishmet dhe të hapë debat mbi ligjin ekzistues mbi përdorimin e gjuhës shqipe.

Ndërkaq, ka zëra se VMRO-ja po ashtu mund të bie dakord që mandati për formimin e qeverisë t’i kalohet Nikolla Poposkit, aktualisht ministër i jashëtm. Por, asnjë prej palëve nuk ka folur publikisht në lidhje me të gjithë këto spekulime.
Zgjedhjet e 11 dhjetorit synonin t’i japin fund krizës politike dyvjeçare që shpërtheu pas skandalit të përgjimeve në masë, të politikanëve, zyrtarëve të lartë qeveritarë, biznesmenëve e gazetarëve, por nga gjendja e krijuar pas zgjedhjeve nuk duket se intensiteti i krizës do të ulet.
XS
SM
MD
LG