Lidhje

BDI ende e pavendosur për koalicionin qeveritar


Selia e BDI në Tetovë
Selia e BDI në Tetovë

Drejtuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim nuk arritën as në ditën e dytë të takimit që të marrin vendim se me cilën prej dy partive maqedonase do të hyjnë në koalicion qeveritar.

Afati për formimin e qeverisë nga i mandatuari Nikolla Gruevski përfundon të dielën në mesnatë. Zgjedhjet e 11 dhjetorit që synonin dhënien fund krizës politike dy vjeçare, nuk duket se e arritën qëllimin.

Brenda Bashkimit Demokratik për Integrim nuk po mund të zgjidhet dilema: A të vazhdojë koalicioni qeveritar me VMRO-DPMNE-në, apo t’i jepet fund këtij partneriteti nëntëvjeçar, për të hyrë në një qeveri me Lidhjen Social Demokrate (LDM). Takimi i zotit Ahmeti me nënkryetarët e partisë dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtunën deri vonë në mbrëmje nuk rezultoi me një vendim.

Z. Ahmeti u tha gazetarëve se “po analizohen të gjitha opsionet për një vendim sa më të mirë për shqiptarët dhe të të gjithë të tjerët në Maqedoni”. Pesë opsionet e BDI-së janë: kalicioni me VMRO-në, koalicioni me LSDM-në, një qeveri teknike, qëndrimi në opozitë dhe zgjedhje të reja. Takimi do të vazhdojë të dielën.

LSDM ka shkaktuar pakënaqësi tek partia shqiptare për shkak se i shkëputi jo vetëm asaj dhjetra mijë vota shqiptarësh në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

Ndërkohë, në opinionin publik është krijuar përshtypja se një pjesë e partisë e kundërshtojnë koalicionin qeveritar me VMRO-në, për dallim nga Ali Ahmeti dhe disa bashkëpunëtorë të tij të ngushtë të cilët duan ta vazhdojnë qeverisjen me këtë parti djathtiste maqedonase.

Por, nëse ndodh kjo e fundit, shumë analistë parashikojnë rënien e shpejtë të ndikimit të BDI-së tek elektorati shqiptar, tani që vendi përgatitet për zgjedhje vendore.

Një krah i BDI-së me zotin Ahmeti në krye si opsion të parë kanë parimin ‘fituesi me fituesin’, që është bërja e qeverisë midis fituesve tek dy blloqet më të mëdha etnike, maqedonasit dhe shqiptarët. Por kjo nuk është kategori kushtetuese, megjithëse është praktikuar në Maqedoni në të shumtën e rasteve, përjashto periudhën 2006-2008.

Mandatari për formimin e qeverisë së Maqedonisë, Nikolla Gruevski (VMRO-DPMNE) ka afat deri të dielën në mesnatë për formimin e kabinetit. Në të kundërt, ai duhet ta kthejë mandatin, ndërsa ajo që është shumë e diskutueshme në qarqet e ekspertëve ligjorë është se kujt duhet presidenti i vendit t’ia japë mandatin më pas.

Disa nuk e përjashtojnë mundësinë që mandati t’i jepet një përfaqësuesi tjetër të VMRO-DPMNE-së, si parti që doli me numër më të madh deputetësh, 51 gjithsej. Ndërsa, të tjerë janë kategorik se nëse Gruevski nuk e formon dot qeverinë, mandati duhet t’i kalojë partisë së dytë më të madhe, në këtë rast Lidhjes Social Demokrate.

Nga burime brenda partive thuhet se VMRO-ja mund të pajtohet me dhënien e pozitës së kryetarit të Parlamentit BDI-së, eventualisht dhe ministrinë e Financave si nga më të rëndësishmet dhe të hapë debat mbi ligjin ekzistues mbi përdorimin e gjuhës shqipe.

Ndërkaq, ka zëra se VMRO-ja po ashtu mund të bie dakord që mandati për formimin e qeverisë t’i kalohet Nikolla Poposkit, aktualisht ministër i jashtëm, për të plotësuar kështu kërkesën e partive shqiptare që personat e dyshuar nga Prokuroria e posaçme për vepra kriminale të mos jenë pjesë e qeverisë së re. Por, asnjë prej palëve nuk ka folur publikisht në lidhje me të gjithë këto spekulime.

Zgjedhjet e 11 dhjetorit synonin t’i japin fund krizës politike dyvjeçare që shpërtheu pas skandalit të përgjimeve në masë, të politikanëve, zyrtarëve të lartë qeveritarë, biznesmenëve e gazetarëve, por nga gjendja e krijuar pas zgjedhjeve nuk duket se intensiteti i krizës do të ulet.

XS
SM
MD
LG