Lidhje

Urdhri Trump, reagojnë universitetet dhe punonjës të DASH


Zyrtarë të lartë në universitetet amerikane po e kundërshtojnë urdhrin ekzekutiv të Presidentit Donald Trump që kufizon përkohësisht hyrjen e udhëtarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Që nga e premtja, presidentët e disa universiteteve e kanë kritikuar vendimin për të ndaluar emigracionin nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.

Arabia Saudite, e cila nuk është në listën e ndalimit, renditet në vend të katërt mes vendeve që dërgojnë studentë në Shtetet e Bashkuara. Aktualisht në SHBA ka 61 mijë studentë sauditë.

Shumë presidentë universitetesh thonë se urdhri po shkakton çrregullime në kërkimet dhe studimet akademike. Disa kanë thënë se do ta sfidojnë ligjërisht ndalimin nëse kjo është e mundur, njofton agjencia e lajmeve Associated Press.

Shoqata e Universiteteve Amerikane, që përfaqëson 62 shkolla të larta, i ka kërkuar zotit Trump ta ndryshojë urdhrin. Urdhri i Presidentit Trump i referohet parandalimit të terrorizmit, me anë të "verifikimit të skajshëm” të emigrantëve nga shtatë vendet e përfshira në listë.

Kritikë të tjerë thonë se ndalimi do të ndikojë negativisht në ekonominë amerikane. Studentët e huaj i sjellin 32.8 miliard dollarë të ardhura ekonomisë amerikane.

Reagojnë punonjës në DASH

Të hënën, disa punonjës të Departamentit të Shtetit dhe diplomatë amerikanë që kundërshtojnë urdhrin e zotit Trump, publikuan një dokument, ku thuhej se “ky hap i administratës nuk do ta arrijë qëllimin dhe ka të ngjarë të çojë në rezultatin e kundërt.”

Departamenti i Shtetit tha se është në dijeni të dokumentit, i cili është publikuar në “Kanalin e Mendimit Ndryshe”. Ky është një mjet zyrtar që përdor Departamenti për të përcjellë pikëpamjet ndryshe në çështjet e politikës.

Zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, e quajti kanalin në fjalë një proces i rëndësishëm që “sekretari në detyrë dhe i tërë Departamenti e vlerëson dhe e respekton”.

Kanali u krijua dekada më parë për të lejuar diplomatët amerikanë të shprehin lirshëm mendimet për çështjet e politikës së jashtme.

XS
SM
MD
LG