Lidhje

Shqipëria dhe kërcënimi terrorist

  • Rudina Dervishi

Congress extremism/Albania

Congress extremism/Albania

Në një nga mjediset e Senatit amerikan u zhvillua sot një forum mbi kërcënimin terrorist dhe rrezikun e sulmeve kibernetike. Në forum morën pjesë anëtarë të parlamenteve të disa vendeve evropiane përfshi Shqipërinë, Kosovën, Austrinë, Bullgarinë, Maqedoninë, Kroacinë dhe Gjermaninë. Ky takim zhvillohet në një kohë kur këtu në Shtetet e Bashkuara po zhvillohet një debat i madh pas urdhrit të presidentit Trump për të ndaluar qytetarë të disa vendeve me shumicë myslimane për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, si masë sigurie për të parandaluar sulme si ato që janë parë në Evropë.

Synimi i forumeve të tilla është pikërisht shkëmbimi i ideve dhe përvojave për të parandaluar sulme terroriste nga Shteti Islamik dhe për të parë rrugët e bashkëpunimit mes vendeve për të ulur rrezikun pas kthimit në vendet e origjinës të luftëtarëve që kanë qënë pjesë e luftimeve të këtij grupi në Irak dhe Siri.

Ky forum mblodhi sot anëtarë të parlamenteve të disa vendeve të Ballkanit dhe Evropës të cilët shkëmbyen shqetësimet e tyre për situatën e sigurisë dhe kërcënimin e sulmeve terroriste sidomos pas krizës së refugjatëve në Evropë që ka lejuar hyrjen pa kontroll të një numri të madh njerëzish nga vendet e Lindjes së Mesme. Takimi është një nismë e Senatorit republikan nga Oklahoma Jim Inhofe dhe ish ministrit shqiptar të mbrojtjes Fatmir Mediu. Në takim foli edhe ish kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko i cili shpjegoi situatën e sigurisë në vend dhe nevojën për një ndërgjegjësim më të madh mbi kërcënimin terrorist.

Takimi ishte me dyer të mbyllura dhe kamera e Zërit të Amerikës u lejua vetëm për pak kohë, në mënyrë që pjesëmarrësit të ishin sa më të hapur në shprehjen e mendimeve të tyre. Zëri i Amerikës bisedoi pas takimit me ish ministrin e Mbrojtes, Fatmir Mediu.

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu sa real është ky kërcënim për Shqipërinë?

Fatmir Mediu: Asnjë vend në botë nuk është i imunizuar nga sulmet terroriste apo probleme të tjera që kanë të bëjnë me shqetësimet e sigurisë përfshi këtu edhe çështjen tjetër që u shtrua, kërcënimet e sulmeve kibernetike. Është e rëndësishme që faktorët politik të çdo vendi ta vlerësojnë atë maksimalisht dhe të gjejnë mënyrat e koordinimit për të parandaluar veprimet. Një nga shqetësimet që ka sot Ballkani është masa e madhe e njerëzve apo atyre që njihen si foreign fighters të cilët kanë luftuar në Siri por edhe kthimi i tyre, për më tepër tani stategjia e ISIS është më tepër sesa për të rekrutuar, më shumë sesa për të krijuar vatra të tilla të cilat mund të strukturohen dhe të godasin sigurinë e vendit tonë dhe jo vetëm të vendit tonë por edhe pjesët e tjera të Ballkanit edhe të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Çfarë masash ka marrë qeveria juaj për të parandaluar sulme të mundshme terroriste sidomos pas rrezikut që shfaqet nga kthimi i luftëtarëve që kanë marr pjesë në luftimet në Siri?

Fatmir Mediu: Kuvendi i Shqipërisë mori disa nisma ligjore përsa i përket rekrutimit, domethënë konsiderimin e tyre si vepër penale. Mendoj se ka nevojë për një diskutim më të gjerë për këtë çështje sepse nuk është çështje mendoj vetëm e qeverisë por e gjithë klasës politike shqiptare dhe aktorëve të tjerë, sidomos e atyre që merren me predikimin apo me pjesën fetare. Është shumë e rëndësishme për të parë sesi mund të risocializohet kjo pjesë e atyre që kanë vajtur duke qënë viktima të kësaj lufte por njëkohësisht për të parë se si mund të kontrollojmë të gjithë atë kthim të njerëzve që vijnë me synime të tjera terroriste duke ardhur në një mënyrë edhe më të organizuar dhe me një qëndrim shumë më të ashpër sesa kur u nisën për në Siri. Padyshim që ka struktura të shtetit duke nisur nga ato të inteligjencës dhe të sigurisë të cilat merren me këto çështje por besoj se ka nevojë për një strategji më të koordinuar të Shqipërisë edhe në këndvështrimin global por edhe sidomos në këndvështrimin rajonal sepse flasim për një siguri që cënon nga pikëpamja rajonale dhe si vende ne kemi nevojë për shkëmbim inteligjence por edhe koordinim të veprimeve tona konkrete.

Zëri i Amerikës: Ju keni qënë këto ditë këtu në Shtetet e Bashkuara dhe jam e sigurtë që keni parë protestat e organizuara nga amerikanët që kundërshtojnë urdhërin ekzekutiv të presidentit Trump për të ndalur hyrjen në vend të imigrantëve dhe refugjatëve nga shtatë vende kryesisht myslimane. Cili është mendimi juaj për këtë urdhër?

Fatmir Mediu: Të vish nga një vend si Shqipëria që për 45 vjet e ka patur të pamundur që të lëvizësh në pjesë të tjera të botës dhe Amerikën e ka pas ëndërr dhe pas një procesi të vështirë të liberalizimit të vizave, natyrisht që ndjej një sens keqardhje. Por në se si qytetar shqiptar ndjej këtë sens, padyshim që duhet të kuptoj që edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës interesin primar ka sigurinë e Amerikës dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve amerikanë. Ajo që është e rëndësishme është që një proces vettingu në këto kohëra të sotme është i domosdoshëm. Kjo është ngritur prej kohësh. Sistemi duhet patjetër të filtrojë të gjithë ata njerëz që duan të lëvizin dhe njëkohësisht të shmang ata të cilët kanë qëllime të këqija, qëllime terroriste.

Zëri i Amerikës: Të ndalemi pak tek politika në Shqipëri. Jeni pesë muaj larg zgjedhjeve dhe vetëm tani po intensifikohet retorika për reformën zgjedhore. A mendoni se reforma zgjedhore do të përfundojë në kohë?

Fatmir Mediu: Ka kohë që e kemi bërë këtë debat. Për herë të parë mbas 16 vjetësh, Shqipëria nuk kryen reformën zgjedhore. Dhe kjo për mendimin tim në mënyrë të qëllimshme nga ana e maxhorancës për ta prurë reformën në limite të fundit dhe për të bërë ndryshime minimale dhe jo thelbësore që nuk garantojnë votën e qytetarëve. Në muajin maj Partia Demokratike dhe një pjesë e opozitës ka paraqitur rekomandimet e veta si për numërimin elektronik edhe për elementë të tjerë të rëndësishëm. Partia Republikane po ashty në fund të shtatorit ka paraqitur rekomandimet e saj. Ka paraqitur LSI-ja, një grup partish politike dhe disa propozime të fundit të Partisë Socialiste. Çfarë e ka penguar këtë komision që të arrij e të veprojë? Thjesht vetëm mungesa e vullnetit politik nga ana e maxhorancës. Bindja ime është që maxhoranca vazhdon në rrugën e saj të idesë për të kontrolluar zgjedhjet jo nëpërmjet një procesi të drejtë ku qytetarët të jenë të lirë të votojnë por në lidhje të ngushta me krimin, me trafikun e drogës edhe manipulimin e zgjedhjeve, të provuara edhe nga ne si opozitë por sidomos nga ndërkombëtarët në zgjedhjet e 2015-ës.

Zëri i Amerikës: Një problem i mprehtë për Shqipërinë është përhapja e marjuanës si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duket se vendi juaj po dështon. Si mund të zgjidhet ky problem që ka ekzistuar si në qeverinë e mëparshme ashtu edhe në këtë të sotmen? A është kapur politika nga krimi i organizuar?

Fatmir Mediu: Padyshim që fenomeni i trafikut të drogës nuk është një fenomen i ri, por përmasat që ka marr gjatë kësaj qeverie, qëllimi i kësaj qeverie për të mos e luftuar trafikun e drogës, biles për ta stimuluar atë, sidomos në kultivimin e marijuanës në gjithë territorin e Shqipërisë, në qoftëse kishim raste të shkëputura në Lazarat, tashmë kemi në të gjithë territorin e Shqipërisë, të ardhurat nga trafiku i drogës janë me miliarda dollarë dhe padyshim që interesin e kanë për të riinvestuar në interesin e tyre për t’u futur dhe për t’u lidhur me politikën. Mendoj që vëzhgime të ndryshme edhe nga shtypi ndërkombëtar për lidhje të segmenteve të shtetit me trafikun e drogës përbëjnë një kërcënim real për të ardhmen e demokracisë shqiptare, jo vetëm në procesin zgjedhor, por në tërë procesin tonë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe sidomos të funksionimit të një shteti normal i cili ka synim kryesor sigurimin e jetës së qytetarëve dhe sidomos luftën kundër trafiqeve ilegale.

Zëri i Amerikës: Ju do të jeni këtu në mëngjesin e lutjeve të enjten. Çfarë prisni nga ky mëngjes këtë radhë?

Fatmir Mediu: Unë kam një kohë të gjatë bashkë me një grup kolegësh të majtë dhe të djathtë, domethënë kemi një marrëdhënie prej vitesh, kemi ndërtuar një marrëdhënie të rëndësishme edhe me senatorët dhe kongresmenët dhe përfaqësues të administratës. Padyshim është një marrëdhënie shkëmbimesh normale të njohjes së problematikës dhe një moment ku është si presidenti amerikan dhe autoritetet më të larta ku besoj interesi primar është ndërtimi i komunikimit, i koordinimit të marrëdhënieve si në nivel rajonal edhe në nivel global. Mendoj që është një nga aktivitetet më të jashtëzakonshme të paktën në historinë time 26 vjeçare si politikan. Shumë njerëz e marrin në këndvështrimin religjoz, nuk është aspak i tillë. Janë 176 shtete nga prejardhje fetare nga më të ndryshme nga i gjithë globi ku interesim primar është të shohim sesi të funksionojmë për t’i shërbyer më të mirës.

XS
SM
MD
LG