Lidhje

Sekretari i Mbrojtjes Mattis, turne në Azi


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis filllon sot një udhëtim në Japoni dhe në Korenë e Jugut. Kjo është vizita e tij e parë jashtë vendit, që nga fillimi i detyrës së re. Çfarë pritet nga ky turne? Në vazhdim ju njohim me mendimin e ekspertëve:

Pentagoni thotë se udhëtimi i Sekretarit Mattis në Japoni dhe në Korenë e Jugut është një mundësi për të dëgjuar shqetësimet e dy prej aleatëve më të ngushtë ushtarakë të Amerikës.

Një zyrtar i mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se Sekretari i Mbrojtjes pritet të takohet me presidentin në detyrë të Koresë së Jugut, me kryeministrin e Japonisë dhe me ministrat e mbrojtjes të të dy vendeve.

Ekspertët thonë se udhëtimi pritet t’i sigurojë aleatët për politikat amerikane, disa muaj para se administrata të sqarojë strategjinë e saj në rajonin e Paqësorit.

Gjatë fushatës zgjedhore, Presidenti Donald Trump i kërkoi vendeve të ndryshme, përfshirë Japoninë dhe Korenë, të përfitojnë nga siguria e krijuar në rajon nga Shtetet e Bashkuara dhe madje sugjeroi në një intervistë se Japonia duhet të ketë armë bërthamore, si masë mbrojtëse ndaj kërcënimit që i vjen nga Koreja e Veriut.

“Nuk besoj se sekretari Mattis do të nxisë këto vende që të zhvillojnë armë bërthamore. Ne duam t’u japim atyre sinjale se siguria e tyre është mjaft e integruar me atë të Shteteve të Bashkuara dhe se detyrimet tona do të përmbushen,”- thotë ekspertja e qendrës CSIS.

Vizita e zotit Mattis në rajonin e Azisë Lindore vjen pas komenteve të Shtëpisë së Bardhë për nevojën e një përfshirjeje më të madhe në Detin e Kinës Jugore, ndërsa Pekini vazhdon të ndërtojë ishuj artificialë dhe të grindet me fqinjët, lidhur me çështjen e ishujve Spratly.

“Meqenëse këta ishuj ndodhen në ujëra ndërkombëtare, pra nuk i përkasin Kinës, atëhere ne duhet të garantojmë mbrojtjen e tyre, që ato të mos përvetësohen nga një vend i vetëm,”- tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.

Si do të realizohet mbrojtja, kjo është diçka që ende nuk është vendosur, por ekspertë si Bonnie Glaser paralajmërojnë për kujdes:

“Heqja e vijave të kuqe qysh tani, nga të cilat nuk tërhiqesh dot, kjo mund të ngrejë pyetje për besueshmërinë e Amerikës,”- thotë ekspertja.

Marina amerikane kryen shpesh operacione që lidhen me lirinë e lundrimit në ujërat ndërkombëtare, por Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar larg mosmarrëveshjeve për përtendimet territoriale në rajon.

XS
SM
MD
LG