Lidhje

Trump: asnjë mundësi nuk përjashtohet në reagimin ndaj Iranit


Shtëpia e Bardhë thotë se lëshimi i një rakete balistike nga Irani rrezikon marrëveshjen bërthamore të nënshkruar me këtë vend.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se Irani tashmë është “paralajmëruar zyrtarisht” për lëshimin e raketës balistike.

Mesazhi i tij u dha nëpërmjet Twitter, ku ai gjithashtu sërish dënoi marrëveshjen e arritur nga SHBA dhe pesë fuqi botërore duke synuar kufizimin e programit bërthamor të Iranit në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Presidenti Trump tha se Irani duhet të jetë mirënjohës për marrëveshjen nëpërmjet së cilës përfitoi miliarda dollarë fonde që kishin qenë të ngrira.

Lëshimi i raketës u dënua dje edhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, i cili e përshkroi si episodin më të fundit në një seri incidentesh gjatë gjashtë muajve të fundit kur Irani ka kërcënuar SHBA-në dhe aleatët në rajon. Zoti Flynn tha se udhëheqësit në Teheran patën marrë kurajo për veprime të tilla nga një marrëveshje “e dobët dhe e paefektshme”, dhe pasi vendet e tjera të përfshira nuk kanë ndërmarrë hapa ndaj ambicieve ushtarake të Iranit.

Gjatë një sesioni informuese në Shtëpinë e Bardhë, zoti Flynn akuzoi ish-Presidentin Barack Obama dhe anëtarët e administratës së tij se nuk kanë qenë të ashpër sa ç’duhet me Iranin.

Të enjten, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me drejtuesit ekzekutivë të kompanisë Harley-Davidson, zoti Trump tha se "asnjë mundësi nuk përjashtohet", duke ju përgjigjur pyetjes së një gazetari në se ndërhyrja ushtarake ndaj Iranit përbënte një opsion.

Ian Lustick, profesor i shkencave politike në Universitetin e Pensilvanisë, i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara duhet të tregohen të kujdesshme në trajtimin e çështjes së Iranit, duke cituar si shembull se Teherani mund ta vështirësojë situatën për 6 mijë ushtarët amerikanë që ndodhen në Irak.

“Shumica e popullsisë në Irak janë shiitë dhe në një farë mënyre, ata kanë simpati ndaj Iranit"- tha profesori. "Në Irak ka një numër të madh forcash milicore të fuqishme, të cilat komandohen dhe stërviten nga iranianët. Këto njësi janë nga më të të mirat dhe që kanë patur sukses në luftën kundër ISIS-it", "- tha profesori Lutsick.

XS
SM
MD
LG