Lidhje

Takimi i BE-së në Maltë


Politikat e presidentit amerikan Donald Trump për tregtinë dhe imigracionin, si dhe uniteti pas Brexit, do të dominojnë një takim jozyrtar të drejtuesve të BE-së sot në Maltë, që ishte planifikuar fillimisht të diskutonte mbi imigracionin nga vende si Libia.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u takuan sot në Maltë për të mbështetur planet që ata shpresojnë se do të parandalojnë një valë të re imigrantësh nga Afrika drejt Italisë, por anarkia në Libi nënkupton se nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë.

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May mori pjesë në takim megjithë planet e saj për të filluar muajin e ardhshëm negociatat për ta larguar Britaninë nga BE-ja – një kujtesë se Britania së bashku me Francën është një nga forcat kryesore ushtarake të bllokut dhe donatori kryesor për Afrikën dhe se Brukseli duhet të vazhdojë të bashkëpunojë me Londrën edhe pas Brexit.

Kryeministrja Theresa May do të informojë udhëheqësit e Bashkimit Evropian rreth takimit së saj në Uashington me presidentin Trump.

"Sot kemi ndjenja mjaft të përziera, pasi hapat e fundit që kemi parë, aspektet e prekshme të politikave të zotit Trump janë disi shqetësuese”, tha para takimit kancelari austriak Christian Kern.

Mbështetja që kryeministrja May i dha zotit Trump ka nervozuar aleatët e ngushtë të Britanisë në BE që janë të shqetësuar se Londra po anon shumë nga administrate e re amerikane para se të largohet nga Bashkimi Evropian.

I pyetur nëse ndjehej i kërcënuar nga presidenti Donald Trump, presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker u përgjigj:

"Mendoj se ka hapësirë për shpjegim, pasi ndonjëherë kam përshtypjen se administrate e re nuk e njeh Bashkimin Evropian në detaje, por në Evropë detajet kanë rëndësi".

Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje për bashkim në Evropë, kur u pyet nëse presidenti amerikan Donald Trump do të ishte temë e takimit.

"Evropa i ka fatet në duart e veta. Sa më të qartë të jemi rreth rolit tonë në botë, aq më mirë do të kujdesemi për marrëdhëniet transatlantike. Për mua diskutimi për Evropën është në plan të parë këtu, dhe ne nuk duhet të përfshihemi me pjesë të tjera të botës."

Drejtuesit e Bashkimit Evropian do të miratojnë plane për të ndalur një valë të re imigrantësh nga Afrika në Itali.

XS
SM
MD
LG