Lidhje

A.I.: Qeveria siriane ka ekzekutuar mijëra të burgosur


Grupi i të drejtave të njeriut, Amnesty International thotë se qeveria siriane ka ekzekutuar mijëra të burgosur dhe i ka varrosur trupat e tyre në varreza massive, që përbën krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Një raport i ri thotë se nga 5 mijë deri në 13 mijë të burgosur janë vrarë mes viteve 2011 dhe 2015, dhe se nuk ka arsye të besohet se ekzekutimet në burgun Saydnaya pranë Damaskut kanë ndaluar. Organizata thotë se shumica e viktimave ishin civilë që mendohet se kanë kundërshtuar qeverinë e presidentit Bashar al-Assad.

Duke folur në Bejrut të hënën, zëvendës drejtoresha e Amnesty International për hulumtimet, Lynn Maalouf, tha se vrasjet janë kryer duke u mbështetur pak ose aspak në ligj:

"Këto ekzekutime ndodhin pas një gjykimi sipërfaqësor që zgjat një ose dy minuta. Ato janë të autorizuara nga nivelet më të larta të autoriteteve dhe këtu përfshihet Myftiu i Sirisë, Myftiu i Madh i Sirisë si dhe ministri i Mbrojtjes , që përfaqëson presidentin Bashar al-Assad. Ka një panel ekzekutimi që mbikëqyr varjet dhe është e pamundur të thuhet se këto varje ndodhin pa njohurinë e autoriteteve të niveleve më të larta."

Raporti bazohet në intervista me më shumë se 80 dëshmitarë, përfshirë ish roje, të ndaluar, gjyktarë dhe avokatë. Rekomandimet e tij përfshijnë thirrje nga Këshilli i Sigurmit i OKB-së për të kërkuar që Siria të lejojë vëzhgues të pavarur për të hetuar dhe monitoruar të gjitha qendrat e paraburgimit.

Qeveria siriane ka mohuar njoftimet për masakra të dokumentuara nga grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ministria e Jashtme siriane nuk iu përgjigj një kërkese të Zërit të Amerikës për koment.

XS
SM
MD
LG