Lidhje

Shqipëria e Kroacia: NATO të rishikojë rolin e KFOR-it


Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë znj. Mimi Kodheli dhe homologu i saj kroat z. Damir Krstičević, i cili është njëkohësisht edhe zëvendëskryeministri i Kroacisë i kanë kërkuar sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s z. Jens Stoltenberg, “që të rishikohet Plani Operacional i misionit paqeruajtës në Kosovë pas zhvillimeve të fundit atje”. Në një letër të përbashkët të dy ministrat, sipas një komunikate të shpërndarë në Tiranë, “dënojnë retorikën nacionaliste nga politikanë serbë dhe veprimet konkrete në kufi, për të cenuar sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe destabilizuar situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”. Kodheli dhe Krstičević kanë mbështetur dhe shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), proces i cili kërkon mbështetjen edhe të përfaqësuesve të pakicave serbe në parlamentin e Kosovës.

Mbi situatën dhe zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës, ministrja shqiptarja e Mbrojtjes Kodheli foli edhe gjatë ndërhyrjes së saj një ditë më parë në ministerialin e Aleancës që u mbajt në Bruksel. Ajo kërkoi që Aleanca mos të harrojë rajonin e Ballkanit “i cili ka nevojë për mbështetje në vijimin e reformave të gjithanshme, duke përfshirë dhe ato në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, janë një tregues i brishtësisë së rajonit”, deklaroi zonja Kodheli, duke shtuar se “kjo gjendje po krijohet dhe nga lëvizjet dhe retorika provokuese e Serbisë, si dhe roli destruktiv i aktorëve të tjerë të jashtëm në rajon”

Ministrja shqiptare kërkoi që “NATO të vijojë të mbetet e angazhuar në Ballkanin Perëndimor, duke dërguar mesazhe të qarta dhe siguruese për mbajtjen e paqes dhe sigurisë. Misioni KFOR, si një histori suksesi, nuk mund dhe duhet të vendoset në udhëkryq, si rrjedhojë e kësaj situate. Ndaj nevojitet një fokus i dedikuar që ky mision të vijojë të mbetet shtylla e sigurisë për stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës”, theksoi zonja Kodheli, duke nënvizuar se nevojiten “më shumë mesazhe të qarta për Serbinë, si vend partner i NATO-s” dhe inkurajoi “më shumë bashkëpunim të Aleancës me BE-në, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve”.

XS
SM
MD
LG