Lidhje

Drejtësia, dorëhiqen dy drejtorët e sulmuar nga opozita


Drejtesi
Drejtesi

Në Shqipëri drejtuesit e dy institucioneve me peshë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe veçanërisht në atë të verfikimit të pasurive të tyre, dhanë sot dorëheqjen. I pari që njoftoi largimin ishte Alket Hyseni, i Drejtorisë së Pastrimit të Parave. Më pas të njejtin vendim e mori dhe Arben Seferi, drejtor i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

Emrat e të dy drejtuesve ishin përmendur shpesh nga opozita, ndërsa kundërshtonte formulimin e ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi sipas saj, që të dy ishin persona të lidhur me Partinë socialiste dhe njerëz të afërt të kryeministrit Edi Rama.

“Jam i përgjegjshëm se reforma në drejtësi është një proces i pakthyeshëm, e duke qenë i bindur se është në interesin e të gjithë shqiptarëve që ky proces të zhvillohet sa më shpejt ndjej se largimi im nga funksioni që kryej do të shërbejë për të eliminuar çdo alibi të të gjithë atyre që frikësohen nga reforma dhe pikësëpari nga vettingu”, shprehet në tekstin e dorëheqjes zoti Hyseni.

Edhe zoti Seferi i vlerëson të pabaza sulmet ndaj tij duke theksuar se “pavarësisht përpjekjeve të mia për të përgënjeshtruar këto akuza, jam i vetëdijshëm që në këtë moment vendimtar për të ardhmen e vendit, institucioni që unë drejtoj duhet të dëshmojë paanshmëri dhe transparencë maksimale”.

Vendimet e tyre u përshëndetën nga kryeministri Edi Rama, “Faleminderit 2 drejtuesve që u dorëhoqën për t'u hequr çdo alibi kundërshtarëve të Reformës në Drejtësi! Reforma nuk ndalet Vetingu nuk shmanget", shkruan kryeministri përmes një postimi në Twitter.

XS
SM
MD
LG