Lidhje

Trump: Është e logjikshme që SHBA të kenë marrëdhënie më të mira me Rusinë


Presidenti Donald Trump tha të enjten se është e logjikshme që SHBA të ketë marrëdhënie më të mira me Rusinë, sepse të dyja janë fuqitë bërthamore.

Gjatë një konference të gjatë shtypi me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha se rreziqet e një konflikti me Rusinë janë të mëdha.

Ai tha: "Ne jemi një vend shumë i fuqishëm bërthamor, po ashtu janë edhe ata.”

Presidenti Trump tha se është i informuar mbi këtë çështje dhe shtoi: “një holokaust bërthamor do të ishte diçka e paparë ndonjëherë.''

Ai tha gjithashtu se nuk dëshiron të tregojë para kohe se si do t’u përgjigjet provokimeve të Rusisë, Koresë së Veriut apo Iranit. Zoti Trump tha se synon të ruajë elementin e befasisë.

PRESIDENTI I DEL NË MBROJTJE PUNËS SË ADMINISTRATËS

Presidenti Trump i doli në mbrojtje shpalljes nga e tij të urdhrit ekezekutiv për ndalimin e udhëtimeve, që aktualisht është pezulluar nga gjyqtarët, për të shqyrtuar ligjshmërinë e tij.

Presidenti i bëri një mbrojtje të fuqishme presidencës së tij dhe akuzoi mediat amerikane, duke i quajtur ato “jashtë kontrollit”. Në konferencën e tij të shtypit ai deklaroi se do ta anashkalojë median dhe do ta dërgojë mesazhin e tij “direkt te populli”.

Gati një muaj pas inaugurimit, zoti Trump tha se administrata e tij e re ka bërë “përparim të rëndësishëm'' dhe i njohu vetes meritën për një klimë optimiste biznesi dhe rritjen e tregut të aksioneve.

Ai përsëri iu kundërpërgjigj njoftimeve të shumta për një fillim kaotik në administratën e tij, të karakterizuar nga një urdhër ekzekutiv tashmë i debatueshëm dhe nga një betejë ligjore rreth këtij urdhri.

"Kjo administratë po punon si një makinë e kolauduar mirë,” deklaroi zoti Trump.

Presidenti njoftoi se do të shpallë një urdhër të ri ekzekutiv, që ai tha se do të jetë shumë i plotë “për të mbrojtur popullin.''

Trump e hapi konferencën e organizuar me nxitim duke akuzuar gazetarët se nuk thonë të vërtetën dhe se thjesht u shërbejnë interesave të veçanta.

"Shtypi është bërë aq i pandershëm sa në qoftë se ne nuk flasim për këtë, do t’i bënim një shërbim të keq popullit amerikan,'' tha Presidenti Trump.

PRESIDENTI TRUMP PARALAJMËRON PËR NXJERRJEN E INFORMACIONIT

Të enjten paradite, Presidenti Trump paralajmëroi ata që nxjerrin informacione të klasifikuara se do të kapen. Ai i bëri komentet në Twitter.

Ai tha se nxjerrja e informacioneve, madje edhe nxjerrja e paligjshme e informacioneve të klasifikuara, ka qenë prej vitesh problem në Uashington.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i zotit Trump, Michael Flynn, dha dorëheqjen këtë javë me kërkesë të Presidentit, pasi një seri njoftimesh nxori se zoti Flynn kishte biseduar me një diplomat rus për çështjen e sanksioneve kundër Moskës para ardhjes së administratës së re.

Në komentet e tij në Twitter, Presidenti Trump përsëri e akuzoi gazetën Nju Jork Tajms dhe media të tjera si të dështuara dhe tha se ato duhet të kërkojnë ndjesë. Presidenti pritet të mbajë pas pak një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG