Lidhje

Reagimet në Rusi për largimin e zotit Flynn


Rusia ka reaguar pas dorëheqjes së zotit Michael Flynn, këshilltarit të sigurisë kombëtare të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili ai perceptohej si më miqësori ndaj Kremlinit në administratën e re amerikane. Në Rusi pati reagime edhe ndaj qëndrimit më të ashpër të Presidentit Trump për çështjen e Krimesë.

Në Rusi, euforia e fillimit pas marrjes së detyrës nga Presidenti Trump, ka filluar të venitet me dorëheqjen e zotit Flynn dhe me thirrjet e Presidentit Trump që Rusia t’i kthejë Ukrainës rajonin e Krimesë. Rusia e konsideronte të rëndësishëm rolin e zotit Flynn për përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në.

“Mendoj se janë shqetësuar ligjvënësit dhe politikëbërësit rusë, pasi ai konsiderohej ndër politikanët e paktë amerikanë pro-rusë”, thotë Pavel Sharikov, i Instituti për Studime Amerikane dhe Kanadeze.

Ndërsa Kremlini e quajti dorëheqjen e zotit Flynn si një çështje të brendshme amerikane, ligjvënës rusë e përshkruan si një akt të motivuar politikisht ndaj Rusisë.

“Flynn shkruajti në raportin e tij se nuk i pati thënë presidentit për kontaktet me ambasadën ruse në SHBA, por ky mund të jetë një veprim politik dhe informativ i parapërgatitur”, tha Leonid Slutsky, kryetari i Komisionit të Dumës ruse për Marrëdhëniet me Jashtë.

Zyrtarët refuzuan haptazi thirrjet e Shtëpisë së Bardhë të Presidentit Trump që Rusia të ulë dhunën në Ukrainë dhe të rikthejë gadishullin e Krimesë, të aneksuar në vitin 2014.

“Ne nuk e kthejmë tokën tonë. Krimea është territor që i përket Federatës Ruse. Pikë”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Ligjvënësit amerikanë po marrin masat duke hartuar një projektligj që nuk do t’i lejonte Presidentit Trump heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë pa një miratim të Kongresit.

Një zëdhënës i Kremlinit hodhi poshtë raportimet e gazetës The New York Times për kontakte ndërmjet stafit të fushatës Trump dhe agjentëve të shërbimeve ruse të zbulimit, akuza të cilat vetë Presidenti Trump i quajti “marrëzi”.

“Ky është thjesht një raportim gazete që nuk është i bazuar në asnjë fakt real”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ndërsa të tjerë po bëjnë thirrje për një hetim të lidhjeve të Shtëpisë së Bardhë me Rusinë, rusët kanë shpresë se me Presidentin Trump do të përmirësohen marrëdhëniet me SHBA-në, por tregohen gjithnjë e më të kujdesshëm për shkak të debateve politike.

“Nuk dimë se ç’linjë do të ndjekë, por Krimea është patjetër ruse. Nuk dimë se ç’do të bëjë, por shpresoj për më mirë. Shpresoj të kemi marrëdhënie më të mira me Amerikën.”

Tensioni është shtuar edhe prej akuzave se Kremlini shkeli një marrëveshje për raketat me SHBA-në, se dërgoi anije zbulimi pranë bregut lindor amerikan, si dhe avionë luftarakë rusë që fluturuan pranë një anijeje të flotës amerikane në Detin Balltik. Kremlini i ka hedhur poshtë këto akuza dhe Presidenti Trump nuk bëri komente.

XS
SM
MD
LG