Lidhje

Stili qeverisës i presidentit Trump


Presidenti Donald Trump premtoi ndryshim gjatë fushatës elektorale por deri tani përpjekjet e tij për t’iu mbajtur zotimeve kanë prodhuar rezultate të ndryshme. Zoti Trump ka firmosur një sërë urdhrash ekzekutivë që kanë kënaqur mbështetësit por irrituar kundërshtarët, sidomos vendimet tij për emigrimin dhe shërbimin shëndetësor. Sipas sondazheve, mbështetja publike për zotin Trump llogaritet në 40 për qind, mbështetja më e ulët historike për një president të ri. Korrenspondenti i “Zërit të Amerikës” Jim Malone sjell një vëzhgim mbi ndikimin politik të zotit Trump në fillimet e presidencës së tij.

Presidenca e Donald Trumpit nisi me një premtim të guximshëm për ndryshime politike.

20 janari 2017-s, do të mbahet mend si dita kur njerëzit morën në dorë sërisht fatet e këtij vendi”, tha presidenti Donald Trump në fjalimin e inagurimit.

Stuhia e urdhrave ekzekutivë të presidentit në javën e parë të presidencës kënaqi mbështetësit tij, një prej tyre Jim Bowmanin nga Wisconsi.

“Njerëzit donin të shihnin ndryshimin dhe e panë, sipas mendimin tim. Ata panë Donald Trumpin si dikë që do të ndryshojë gjërat.

Vendimi i zotit Trump për ndalimin e përkohshëm të udhëtarëve nga 7 vende me shumicë myslimane ngjalli kundërshti të fortë në të gjithë vendin si dhe sfida ligjore në gjykatë.

Mbështetësve u pëlqen përdorimi i guximshëm që zoti Trump i bën pushtetit të tij presidencial. Por kjo alarmon demokratët si senatorin Richard Blumenthal.

Pavarësia e gjyqësorit do të thotë se kushtetuta jonë mbetet ligji kryesor edhe pse presidenti Trump kërkon të dalë mbi ligjin”.

Edhe pse dyshues për stilin e drejtpërdrejtë të zotit Trump, republikanët në kongres, si kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan vazhdojnë ta mbështesin.

E di që ai është një president jo i zakontë. Ai irritohet me gjykatësit. Ne irritohemi me gjykatësit. Por ai po respekton procesin dhe mendoj se fund të fundit, kjo është ajo që vlen.

Republikanët do ta mbështesin zotin Trump për aq kohë sa ndajnë të njëjtat qëndrime politike, thotë analisti John Fortier.

“Nëse presidenti është në gjendje t’ia dalë me këtë kongres dhe të miratojë nismat e tij, mendoj se kjo do ta ndihmojë. Por nëse nis të lëkundet, mendoj se atëherë do të shihni se do të jetë e vështirë për të mbajtur bashkë Partinë Republikane”, thotë John Forties i qendrës për politika mbipartiake.

Karakteri i guximshëm por gjithëaq përçarës i zotit Trump do të mbahet nën vëzhgim sipas analistit James Thurber.

Institucione të zbatimit të ligjit, që garantojnë transparencën si dhe shtypi do ta mbajnë atë nën kontroll. Sjellja e tij do të shqetësojë disa njerëz por ai do të kontrollohet kur vjen fjala për ndryshime radikale”.

Tronditja e fundit politike për Donald Trump ishte dorëheqja e këshilltarit të tij të sigurisë kombëtare, gjeneralit në pension Michael Flynn.

Për momentin, stili agresiv i presidentit Trump ka gjasa të vazhdojë, duke gjetur përkrahje tek mbështetësit dhe opozitë të fortë tek kritikët.

XS
SM
MD
LG