Lidhje

Përpjekjet për formimin e qeverisë në Maqedoni


Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate në Maqedoni, Zoran Zaev i cili pretendon të marrë mandatin për formimin e qeverisë, tha sot se kishte pranuar shkresën nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe se partia e tij po e analizon përgjigjen e partisë shqiptare.

Zoti Zaev priste të sigurojë nënshkrimet e dhjetë ligjvënësve të BDI-së, të cilat do t’i mundësonin marrjen e mandatit. Sa i përket këmbënguljes së BDI-së dhe partive të tjera shqiptare që gjuha shqipe në Maqedoni të bëhet gjuhë e dytë zyrtare në nivel të pushtetit qendror dhe në të gjithë vendin, Zaev la të kuptohej se për partinë e tij gjithçka që është brenda kornizave kushtetuese është e pranueshme. “Por do të shqyrtohet nëse kërkesat kanë të bëjnë me nevojën reale dhe praktike të përdormit, si për komunitetin shqiptar, po ashtu edhe për secilën pakicë tjetër etnike”, tha ai.

As Lidhja Social Demokrate e as Bashkimi Demokratik për Integrim nuk japin hollësi mbi përmbajtjen e dokumentit të BDI-së, për çka janë konsultuar ekspertë ligjorë mbi avancimin, sidomos, të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni.

Maqedonia ende nuk po arrin të formojë qeverinë që prej zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Votat e deputetëve të BDI-së në parlament janë vendimtare për këtë. Por, me gjasë, qëndrimet e kësaj partie, sipas analistëve, duket se po e çojnë vendin drejt formimit të një qeverie të gjerë, gjithpërfshirëse dhe drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.

XS
SM
MD
LG