Lidhje

Protesta ndaj administratës Trump


Ligjvënësit amerikanë janë kthyer për një javë në distriktet e tyre, pas një pushimi një-javor të Kongresit. Në takimet që po zhvillojnë në zonat e tyre elektorale, ata po përballen me qytetarë të zemëruar. Shtëpia e Bardhë nuk u ka kushtuar rëndësi protestave, duke thënë se ato nuk përfaqësojnë pjesën më të madhe të popullsisë në këto zona.

Në takimet që po zhvillohen me ligjvënësit e tyre në mbarë vendin, amerikanët po i shprehin mendimet e tyre me zë të lartë.Pa u mbushur ende një muaj nga dita kur filloi nga puna administrata e

Presidentit Donald Trump, anëtarë të partisë së tij republikane janë kthyer në distriktet e tyre elektorale, ku po përballen me votues të shqetësuar, nganjëherë të egërsuar, të cilët kërkojnë shpjegime për politikat e presidentit.

Nga shfuqizimi i programit shëndetësor të njohur si Obamacare, tek politikat e presidentit për imigracionin, ligjvënësit republikanë po përballen me ankesat në zonat e tyre elektorale.

Në mërkurën në Louisiana, një grup njerëzish e pritën me thirrje të zemëruara senatorin Bill Cassidy, që u përpoq t’i dilte në mbrojtje administratës së Presidentit Trump.

“Janë kaq shumë njerëz që kanë besim tek qeveria federale me president Donald Trump-in. “Jo ju.”

Shtëpia e Bardhë është në pozita mbrojtëse, duke vënë në pikëpyetje faktin se sa real është shqetësimi i votuesve.

“Unë mendoj se disa njerëz janë me të vërtetë të pakënaqur, por më duket se kryesisht kemi të bëjmë me një lloj sajimi profesional të protestave. Njerëz të pakënaqur mund të ketë, por unë mendoj gjithashtu se kur i hedh një vështrim këtyre distrikteve, nuk kemi të bëjmë me pakënaqësi që lidhen me shqetësime reale, por me një grup të vogël njerëzish që përpiqen të tërheqin vëmendjen e medias”, tha zëdhënësi Sean Spicer.

Presidenti Trump, po ashtu nuk i kushtoi rëndësi protestave, duke shkruar në Twitter, se “të ashtuquajturat turma të zemëruara nëpër distriktet e disa republikanëve, në fakt, në shumë raste janë të planifikuara nga aktivistë liberalë. Kjo është e trishtueshme!”

Disa ligjvënës republikanë po i qëndrojnë larg takimeve ballë për ballë me elektoratin; ata po zhvillojnë koneferenca me telefon, me shpresën për të shmangur turma të papërmbajtura si këto.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG