Lidhje

Serbi: Refugjatët e dëshpëruar i mbajnë shpresat tek barrakat gjysmë të rrënuara


Pasqyrimi i gjerë në media muajin e kaluar, e ktheu vëmendjen tek kushtet e refugjatëve në barrakat në gjendje të mjeruar në Beograd. Por megjithëse një kamp zyrtar është hapur së fundmi pikërisht për t’i strehuar ata, disa kanë vendosur të qëndrojnë në strehat që po shkatërrohen. Korrespondenti John Owens sjell nga Beogradi arsyet për këtë vendim.

Mund të jetë gjendje e zymtë, por disa refugjatë në kryeqytetin Beograd të Serbisë e konsiderojnë si alternativën e tyre më të mirë.

Këto ish-barraka të mbushura me minj, kanë qenë streha e qindra vetëve të vendosur për të vazhduar udhëtimin e tyre për në Hungari dhe Bashkimin Evropian.

“Nuk kam pare kurrë më parë një vend të tillë. Ky ka qenë vend për kafshët dhe tani unë fle këtu”, thotë një refugjat afgan.

Sipas vlerësimeve, në Serbi ka rreth 7,500 imiigrantë dhe refugjatë. Shumica rrinë në 17 kampe. Më i fundit u hap muajin e kaluar pranë Beogradit, pasi në barraka ata përballeshin me një të ftohtë arktik.

Ivan Miskovis është me komisariatin për refugjatët dhe migrimin.

“Ky është një moment humanitar. Ne donim të zhvendosnim çdo imigrant nga hapësira e paizoluar, nuk donim që askush të lëndohej rëndë, apo që të kishin probleme të rënda shëndetësore”.

Gjendja nuk është e përkryer, por shumë nga ata që u zhvendosën vlerësua kushtet dhe ambjentin si të preferuar ndaj barrakave. Megjithatë disa preferojnë të mbeten në barraka.

Ata druhen se mund të ndalohen në kampe të mbyllura, diçka që disa prej tyre e kanë provuar në udhëtimin e tyre. Ata shqetësohen gjithashtu se mund të detyrohen të kthehen në vendet që tashmë i kanë përshkuar. Abdul Akbar është refugjat afgan.

“Sepse një ditë kampi mund të mbyllet. Ne jemi të frikësuar se mund ta bëjnë të mbyllur kampin, prandaj nuk shkojmë atje. Ne duam të kalojmë nga ana tjetër e kufirit. Prandaj po jetojmë këtu”.

Ndërsa numri i personave që lejohet të hyjë nga Serbia në Hungari është reduktuar në 10, llogaritet që atyre mund t’u duhet të presin vite, jo muaj.

Për këtë arsye, shumë vetë e shohin si pa shpresë zgjidhjen përmes rrugës ligjore dhe listave të pritjes. Nuno Felicio është me organizatën "Holes in the Border"

“Ata duan të shkojnë në kufi, mund të jenë të lirë në çdo kohë nëse një kontrabandist i ndihmon të kalojnë kufirin, ose nëse shohin se ka një shans për të kapërcyer kufirin, shumica i kanë çantat gati".

Dhe ndërsa grupe vullnetare “Holes in the Border” si Nuno po ndihmojnë në barraka, ata mund të përballen me një kërkesë në rritje. Me ardhjen e pranverës, rrjedha e refugjatëve për në Serbi, pritet të rritet.

Ndërkohë, barrakat janë detsinuar për t’u shkatërruar për t’i hapur rrugën një kompleksi banesash buzë lumit. Por për sa kohë ato mbeten, do të vazhdojnë luajnë rolin e alternativës më pak të keqe për refugjatët që kanë humbur besimin në zgjidhjet zyrtare për ta.

XS
SM
MD
LG