Lidhje

Irani shfrytëzon konferencën për palestinezët për të nxjerrë në pah retorikën anti-izraelite


Irani zhvilloi konferencën e parë pas gjashtë vjetësh, në mbështetje të kryengritjes palestineze. Irani thotë se arriti të grumbullojë qindra delegatë nga 80 vende, gjë që pasqyron ndikimin e ri të Teheranit në skenën botërore.

Konferenca Ndërkombëtare në Mbështetje të Intifadës i dha fund të mërkurën takimit dy ditor në Teheran. Kjo është konferenca e këtij lloji. Presidenti iranian premtoi më shumë ndihma për palestinezët që luftojnë kundër Izraelit. Prej kohësh, Teherani ofron ndihma monetare dhe ushtarake për militantët palestinezë.

Media shtetërore iraniane citoi Presidentin Hassan Rouhani që tha se populli i tij “ka paguar një kosto të lartë për mbështetjen e palestinezëve dhe kundërshtimin e veprimeve të regjimit zionist izraelit, por ai do ta vazhdojë me vëndosmëri këtë mbështetje.” Media shtetërore tha se zoti Rouhani i bëri komentet gjatë takimit me shefin e Këshillit Kombëtar Salim al-Zanoun. Duke folur para delegatëve, zoti Rouhani e quajti Izraelin “regjim të rremë” që duhet të zëvendësohet nga një shtet palestinez për myslimanë, të krishterë dhe hebrenj.

Udhëheqësi Suprem Ayatollah Ali Khamenei e hapi konferencën duke e quajtur Izraelin “tumor kanceroz” dhe duke u bërë thirrje palestinezëve për “të ndërmarrë një intifada (kryengritje) të stuhishme deri në çlirimin e plotë të Palestinës” – një referencë historike ndaj territorit të Palestinës të kontrolluar nga britanikët që daton para krijimit të Izraelit në vitin 1948.

Palestinezët morën pjesë në dy revolta të dhunshme, ose intifada, kundër pushtimit izraelit të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës – territore që ata i quajnë shtet – nga viti 1987 deri në 1993 dhe e dyta nga viti 2000 deri në 2005. Gjatë viteve të fundit, militatët palestinezë po ashtu kanë ndërmarrë një valë sulmesh me thika, makina dhe armë zjarri, kundër izraelitëve dhe e kanë përdorur Gazën si bazë për luftën e vitit 2014 me Izraelin.

Irani i nderoi këto revolta duke zhvilluar konferencën e kësaj jave vetëm një vit pas lehtësimit nga sanksionet ndërkombëtare si pjesë e marrëveshjes bërthamore me fuqitë botërore – një marrëveshje që hyri në fuqi në janar të vitit 2016. Teherani ka zhvilluar konferencat e mëparshme pro intifadave palestineze në vitet 2011, 2009, 2006, 2001 dhe 1991. Nuk ka patur reagime ndërkombëtare ndaj konferencës së fundit.

Emanuele Ottolenghi, analist për çështjet iraniane me grupin hulumtues Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive, me qendër në kryeqytetin amerikan, e shikon retorikën ati-izraelite të Khamene-it dhe Rouhani-t si asgjë të re.

“Ata ishin ironizues në retorikën e tyre kundër Izraelit para dhe pas marrëveshjes bërthamore gjatë administratës së presidentit Obama si dhe tani që Donald Trump është president” tha për sherbimin persian të Zërit të Amerikës analisti Ottolenghi. “Regjimi mbetet i lidhur pas idesë se Izraeli duhet shkatërruar.”

Por analisti Ottolenghi tha se aftësia që Irani të organizojë një konferencë tjetër në mbështetje të militantëve palestinezë pas një ndërprerje gjashtë vjeçare është e rëndësishme. “E dimë që regjimi po paguan të gjitha shpenzimet për pjesmarrjen e të gjithë njerëzve nga mbarë bota, duke përdorur paratë e taksapaguesve iranianë”, tha ai. “Irani është duke përdorur paratë nga e papritura ekonomike e marrëveshjes bërthamore për të avancuar retorikën e saj zjarrvënëse”.

Banka Qendrore e Iranit ka thënë se vendi pati rritje ekonomike prej 7.4 përqind në mars dhe shtator të vitit 2016, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gazeta iraniane “Financial Tribune” thotë se pjesa dërrmuese e rritjes erdhi nga shtimi i eksportit të naftës, që u mundësua pas marrëveshjes bërthamore.

Mes delegatëve të konferencës së kësaj jave në Teheran ishin edhe pjestarë të fraksionit militant palestinez Hamas, Xhihadi Islamik si dhe militantë të Hezbollahut libanez – grupime këto të cilësuara si organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Në forum morën pjesë gjithashtu delegacione parlamentare nga 20 vende, ku shtatë prej tyre dërguan krerët e parlamenteve: Algjeria, Libani, Mali, Koreja e Veriut, Siria, Tanzania dhe Zimbabve. Qeveria iraniane po ashtu priti dijetarë islamikë nga Afganistani dhe Pakistani dhe një grup hebre ortodoks të vijës së ashpër anti-zioniste.

Gjatë një interviste me shërbimin pers të Zërit të Amerikës, hulumtuesi për terrorizmin Lee Smith me Institutin Hudson në kryeqytetin amerikan, tha se Irani ndihet i fuqizuar jo vetëm nga marrëveshja bërthamore por edhe nga përhapja e ndikimit në rajon.

“Iranianët mburren se kontrollojnë katër qeveri arabe, në Beirut, Damask, Bagdat dhe Sana”, tha zoti Smith. “Prandaj po testojnë administratën e presidentit Trump (duke mbajtur konferencën)” Administrata e re në Uashington që erdhi në pushtet në janar, është zotuar se do të jetë më mbështetëse ndaj Izraelit se administrata e mëparshme.

Zoti Smith tha se sekti Shiit, që përbën shumicën në Iran, po ashtu po përdor çështjen palestineze për të fituar avantazh në marrëdhëniet me publikun përkundrejt rivalëve arabë të sektit Sunni të cilët tradicionalisht kanë mbështetur palestinezët kryesisht të sektit Sunni.

“Shtetet me shumicë të sektit Sunni si Egjipti, Jordania dhe Arabia Saudite, kohët e fundit janë afruar me Izraelin, disa më hapur se vendet e tjera, si rezultat i Iranit”, tha zoti Smith. “Kështu që iranianët po mbështesin kartën palestineze duke thënë (arabëve) se ne përfaqësojmë ose mbështesim rezistencën e vërtetë (kundër Izraelit).”

Shefi i Lidhjes Arabe Ahmed Aboul-Gheitlëshoi një dekleratë javën e kaluar duke përsëritur mbështetjen për krijimin e një shteti të pavarur palestinez përkrah Izraelit, pasi Presidenti Trump tha se ishte i hapur ndaj ideve të tjera përveç asaj të zgjidhjes me dy shtete për dhënien fund të konfliktit të gjatë izraelito-palestinez.

XS
SM
MD
LG