Lidhje

Tillerson, Kelly takohen me presidentin e Meksikës


.

Zyrtarët amerikanë i premtuan Meksikës se nuk do të ketë “deportime masive”, një përpjekje kjo për të zbutur tensionet lidhur me thirrjet e Presidentit Trump për të goditur “individët me precedente penale” që jetojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

Sekretari amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Kelly dhe Sekretari i Shtetit Rex Tillerson u takuan me presidentin meksikan Enrique Pena Nieto dhe pjetarë të kabinetit, të cilët shprehen “shqetësim dhe acarim” lidhur me qendrimin luftarak të zotit Trump për tregtinë dhe migrimin me Meksikën.

Zoti Kelly theksoi se “nuk do të ketë përdorim të forcave ushtarake” për grumbullimin e migrantëve pa dokumente në bazë të masave të ashpra të presidentit ndaj atyre që ndodhen ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

“Nuk do të ketë, e përsëris, deportime masive. Çdo veprim do të jetë në bazë të ligjit dhe bazuar në të drejtat e njeriut dhe sistemit të drejtësisë amerikane. Deportimet do të bëhen në bazë të sistemit tonë ligjor.

Kryediplomati amerikan theksoi se diskutimet ishin produktive.

“Edhe pse vendet tona ndajnë një histori të gjatë, vizita jonë ishte largpamëse, e përqendruar në interesat e përbashkëta që do të avancojnë mirëqënien e sigurisë dhe atë ekonomike. Në takime, bashkërisht pranuam se në marrëdhënet tona plot ngjyrime, dy vende sovrane të forta, ndonjëherë kanë pikpamje të ndryshme. Dëgjuam njëri tjetrin nga afër dhe me kujdes, ndërsa shprehëm me respekt dhe durim përspektivat dhe shqetësime tona.”

Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka dhënë hollësi mbi diskutimet me Presidentin Pena Nieto.

Një dekleratë nga presidenca meksikane thotë se zoti Nieto përsëriti se për vendin e tij “mbrojtja e meksikanëve në Shtetet e Bashkuara dhe respekti për të drejtat e tyre është një prej përparësive më të mëdha të qeverisë së tij.”

XS
SM
MD
LG