Lidhje

Maqedoni, BDI do të mbështesë zotin Zaev

  • Isak Ramadani

Macedonia, Zaev, Ahmeti

Macedonia, Zaev, Ahmeti

Partia më e madhe shqiptare në Maqedoni tha se do të mbështesë kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate, Zoran Zaev që të marrë mandatin e formimit të qeverisë së re.

Një zëdhënës i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) tha mbrëmë se partia do t’i japë nënshkrimet e deputetëve Lidhjes Social Demokrate.

Zëdhënësi Bujar Osmani i bëri komentet për gazetarët pas një takimi të gjatë të kryesisë së partisë, por specifikoi se vendimi nuk nënkupton marrëveshje për koalicion qeveritar dhe se BDI nuk ka ndonjë borxh ndaj zotit Zaev.

Zëdhënësi tha se bisedimet lidhur me programet e partive do të vazhdojnë.

Më herët, gjatë ditës, kryetari i BDI-së Ali Ameti nuk e përjashtoi mundësinë që partia e tij të mbetet në opozitë.

Ndërkohë, BDI nuk ka përjashtuar as një koalicion me partinë VMRO-DMNE, edhe pse kreu i saj, ish-Kryeministri Nikolla Gruevski nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme për formimin e qeverisë.

Nëse pretendenti për formimin e qeverisë, Zoran Zaev siguron nënshkrimet e partive shqiptare BDI, Lëvizja Besa dhe Lëvizja për Reforma – PDSH, ai duhet të njoftojë presidentin Gjorgje Ivanov për të marrë mandatin e formimit të qeverisë.

Sipas analistëve, ka gjasa që Ivanov ta zvarrisë procesin. Në këtë rast, ligjvënësit mund të mblidhen vetë në parlament dhe me shumicën e thjeshtë prej 61 votash t’i japin zotit Zaev mandatin për formimin e qeverisë.

Avancimi ose zyrtarizimi i gjuhës shqipe është çështja kyçe që ka mbizotëruar në bisedimet në mes BDI-së dhe LSDM-së. Partitë kanë harmonizuar qëndrimet rreth një projektmarrëveshjeje, por dokumenti nuk është bërë publik.

Shoqata të afërta me partinë VMRO-DPMNE protestuan të premten në Shkup kundër mundësisë së zyrtarizimit të gjuhës shqipe në të gjithë Maqedoninë. Drejtues të partisë janë shprehur se “do të vihen në mbrojtje të shtetit dhe popullit maqedonas dhe nuk do të lejojnë copëtimin e vendit”.

Në Shkup po shtohen pasiguritë nëse një koalicion i mundshëm mes LSDM-së dhe partive shqiptare do t’i jepte fund krizës politike dyvjeçare, apo do ta thellonte atë. Kriza mori shkak nga një skadal përgjimesh të zyrarëve dhe politikanëve të lartë.

XS
SM
MD
LG