Lidhje

Prokuroria e Posaçme në Maqedoni zgjeron hetimet


Prokuroria e Posaçme e Maqedonisë ka zgjeruar hetimet mbi rastin e njohur si “Titanik” ku akuzohen ish-zyrtarë të lartë qeveritarë për manipulime zgjedhore.

Prokurorja e Posaçme, Katica Janeva u tha të martën mjeteve të informimit se 17 persona janë të dyshuar, disa prej të cilëve ngarkohen me vepra të reja penale. Ajo nuk bëri të ditur identitetin e të akuzuarve të rinjë. Të dyshuarit akuzohen për shkaktimin e parregullsive dhe manipulimeve në zgjedhjet e viti 2011.

Rasti buron nga materialet e përgjuara telefonike të cilat Lidhja Social Demokrate ia ka dorëzuar kësaj prokurorie. Partia e zbuloi skandalin e përgjimeve në masë në fillim të vitit 2014 që shkaktoi thellimin e krizës politike në vend. Si rezultat, u formua Prokuroria e Posaçme, me pëlqimin e katër partive më të mëdha dhe me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar.

Por, prokuroria jo një herë është ankuar se po hasë në pengesa të shumta dhe në mungesë bashkëpunimi nga një sërë institucionesh shtetërore. Para pak ditësh, kryeprokurorja speciale Katica Janeva dhe kolegia e saj Fatime Fetai u ndëshkuan me nga 2.000 euro nga një gjykatë themelore e Shkupit, “për shkak të sjelljes joprofesionale” në një seancë ku po dëgjohej ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

Prokuroria e Posaçme ka hapur po të martën edhe një rast të ri të quajtur “Trust”. Këtu akuzohen kompanitë “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato” për fitimin e tenderave me anë të dokumentave të falsifikuara. Shuma e këtyre tenderave arrinte shifrën prej 17,2 milionë euro. Prokuroria e Posaçme tha se do të kërkojë masën e arrestit për dy prej tre të akuzuarve.

Pronarët e dy prej firmave të lartpërmendura janë ose kanë lidhje të ngushta familjare me pronarët e televizioneve Sitel dhe Nova, të njohur për qëndrimet e tyre pro qeverisë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG