Lidhje

Ambasada e SHBA, mirëpret largimin e Prengës


Në Shqipëri ambasada e SHBA-ve në Tiranë, mirëpriti sot pasdite largimin nga parlamenti të ish-deputetit Armando Prenga, i cili një ditë më parë u dorëhoq nga mandati i tij. “Personat me dosje penale nuk kanë vend në parlamentin, gjykatat, qeverinë, apo bashkitë e një vendi anëtar të NATO-s i cili gjithashtu synon t’i bashkohet BE-së”, thekson një deklarata e ambasadës amerikane, ndërsa shton se “inkurajojmë qytetarët shqiptarë dhe institucionet shqiptare të jenë vigjilentë për parandalimin e kriminelëve nga kandidimi në zgjedhjet e 18 qershorit. Shqiptarët meritojnë të kenë një sistem politik dhe gjyqësor të pastër, pa ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, përfundon deklarata.

Vendimi i ish deputetit Prenga një ditë më parë, për të hequr dorë nga mandati i parlamentit, erdhi në një kohë që në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve po diskutohej pikërisht revokimi i mandatit të tij. Prokuroria shqiptare, në kuadër të të ashtuquajturit ligj të dekriminalizimit, kishte paraqitur prova sipas të cilave Prenga kishte fshehur disa të dhëna lidhur me të kaluarën e tij, mes të cilave një dënim me gjobë për “Falsifikim dokumentash” të dhënë nga një Gjykatë shqiptare si dhe faktin që “rezulton me precedentë penale në shtetin italian për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos. Këto të dhëna janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar me autoritetet italiane”, ka shpjeguar Prokuroria. Javën e kaluar KQZ-ja kërkoi nga Prokuroria dokumentacion shtesë, përfshirë vendimet e autoriteteve italiane për dënime ndaj Prengës, por pas dorëheqjes së tij, mbylli diskutimet për këtë çështje.

Në kërkesën drejtuar kryetarit të parlamentit Iir Meta, Prenga shprehej se ”asnjë dispozitë e ligjit, nuk parashikon ndërprerje të mandatit të të zgjedhurve, për një dënim me gjobë, siç është dhe rasti im. Por, për qetësinë time dhe të familjes sime, deklaroj si më sipër se, heq dorë, sot dhe gjithmonë, nga mandati që zgjedhësit e mi dhe Kushtetuta më kanë ngarkuar”.

Në shtator të vitit 2015, Prenga u përfshi në një konflikt të armatosur para Komisariatit të Kurbinit ku ai dhe të afërm të tij u përplasën me pjestarët e familjes Çali. Zanafilla e përplasjes kishte qenë një garë e fituar nga i vëllai i deputetit për administrimin e Lagunës së Patokut e cila në dhjetë vitet e fundit kishte qenë e administruar nga familja Çali. Kjo e fundit kishte denoncuar parregullsi në garë. Pak javë pas ngjarjes, Gjykata administrative i dha të drejtë familjes Çali duke anulluar tenderin. Prokuroria mbylli hetimet ndaj Prengës që në dhjetor të 2015, duke e akuzuar për “Armbajtje pa leje”, “Plagosje të lehtë me dashje” dhe “Kanosje”, lidhur me konfliktin e armatosur. Procesi gjyqësor ndaj tij vazhdon ende në Gjykatën e Lartë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG