Lidhje

Ryan: përgjigje për lidhjet e mundshme mes ekipit të Trumpit dhe Rusisë


Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, Paul Ryan, tha se ka nevojë për përgjigje lidhur me kontaktet e papërshtatshme të zyrtarëve që drejtuan fushatën e presidentit Donald Trump dhe Rusisë, gjatë garës presidenciale.

Kemi nevojë për përgjigje. Kemi nevojë të sigurohemi se nuk ka ndodhur asgjë që nuk duhej ndërsa ecim përpara”, tha zoti Ryan sot gjatë një interviste për rrjetin mediatik NBC.

Tre hetime të nisura nga Kongresi mbi lidhje të mundshme mes zotit Trump dhe Rusisë janë në proces. Zoti Ryan nuk tha nëse do të ishte e nevojshme përfshirja e një prokurori në hetime, por theksoi se një hetim dy palësh është i nevojshëm për të garantuar që informacioni i mbledhur i komunitetit të zbulimit nuk është kompromentuar.

Demokratët kërkojnë një prokuror të posa]ëm, ose zgjedhjen e një komisioni të kongresit, që të hetojë më tej pretendimet për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet e fundit presidenciale. Por kryetari i Komisionit të Zbulimit, ligjvënësi republikan Devin Nunes, që drejton një nga proceset hetimorë që po kryen Kongresi, thotë se nuk ka gjetur asnjë provë për kontakte të papërshtatshme dhe nuk ka në plan të zgjerojë një hetim që është ndërkohë në proces.

Nuk mund të bëjmë gjueti shtrigash”, u tha gazetarëve ligjvënësi Devin Nunes.

Megjithatë, ligjvënësi kryesor demokrat në Komisionin e Zbulimit, Adam Schiff, tha se nuk është arritur ende në një përfundim, nëse ndihmësit e zotit Trump kanë patur kontakte me zyrtarë rusë gjatë fushatës presidenciale.

Ligjvënësit në të dyja dhomat: në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, përpiqen të kuptojnë detajet e gjetjeve të komunitetit të zbulimit amerikan, se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale, në një përpjekje për ta ndihmuar zotin Trump të mundë demokraten Hillary Clinton, ish sekretaren amerikane të shtetit.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG