Lidhje

Drejtësia, Vasili reagon ndaj letrës për OMN-ën


Në Shqipëri ministri i Drejtësisë Petrit Vasili ka reaguar mbrëmë pas letrës sqaruese të Genoveva Calaveras, drejtueses së Bordit të Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i ngarkuar për të ndihmuar autoritetet shqiptare në procesin e rivlerësimit. Zoti Vasili, i cili ka ngritur një seri pikëpyetjesh fillimisht lidhur me rolin e Bordit të Menaxhimit e më pas dhe me funksionet e vetë Operacionit Ndërkombëtar dhe aktivitetin e tij në përputhje me kushtetutën e vendit, në një letër dërguar ambasadores së Delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë Romana Vlahutin, kërkon sqarime të mëtejshme lidhur me disa saktësime që përmban teksti i zonjës Calavera.

Përfaqësuesja e Komisionit europian theksonte në letrën e saj se Bordi “ka një natyrë të pastër administrative. Detyrat e tij do të mund të krahasohen me ato të një Njësie Menaxhimit të Projektit dhe synon të lehtësojë punën e përbashkët të Komisionit Evropian dhe qeverisë së SHBA-ve, nën kryesimin tim”. Lidhur me këtë ministri Vasili shprehet se “krijimi i një Njësie Menaxhimit të Projektit, krijon një kornizë të karakterit organizativ dhe mund të shihet si një hap i parë i dobishëm për zbatimin e procesit të rivlerësimit”.

Në letrën e tij ministri vëren se zonja Calavera në vend të termit Bord i Menaxhimit ka përdorur termin Bord Drejtues (Governing Board). “Nuk ka asnjë shpjegim për këtë ndryshim, pasi në vlerësimin tonë, ndryshimi i emërtesës lidhet logjikisht dhe më mënyrën e funksionimit të tij apo rolit që do të ketë konkretisht në proces”, nënvizon zoti Vasili.

Më tej ai i referohet dhe faktit se zonja Calavera e mbyll letrën e saj duke u shprehur se “për të lehtësuar komunikimin dhe për të shmangur çdo keqkuptim”, në komunikimet e ardhshme zyrtare, ajo nuk do t’i referohet më Bordit por vetëm Operacionit Ndërkombëtar. “Kjo situatë – sipas ministrit Vasili – kërkon sqarim të mëtejshëm pasi duhet qartësuar në mënyrë shteruese nëse komunikimi do të mbahet përmes Njësisë së Menaxhimit të Projektit apo ONM-ës e cila ka një parashikim kushtetues të mirëpërcaktuar”.

Zoti Vasili konsideron “të domosdoshme hartimin e një Rregulloreje të Funksionimit të Njësisë së Menaxhimit të Projektit” e cila sipas tij duhet të përshkruajë qartë “mënyrën e komunikimit me autoritetet shqiptare; mënyrën e akreditimit të vëzhguesve ndërkombëtarë si pjesë e ONM-ës; rregullat e pajisjes së tyre me çertifikatat e sigurisë; mënyrën e komunikimit të rekomandimeve të tyre në adresë të institucioneve shqiptare të ngarkuara për rivlerësimin, si dhe përcaktimin në Njësinë e Menaxhimit të Projektit dhe të një përfaqësuesi të palës shqiptare”.

XS
SM
MD
LG