Lidhje

Presidenti Trump, fjalimi i parë përpara Kongresit


Për herë të parë, presidenti Donald Trump flet sonte përpara Kongresit. Ai do të bëjë thirrje për reformimin e sistemit të kujdesit shëndetësor dhe për rigjallërimin e ekonomisë.

Në prag të fjalimit Presidenti tha se ishte i hapur ndaj një propozimi kompromisi që mund të përfshijë legalizimin e një pjese prej miliona njerëzve që jetojnë në SHBA në mënyrë të paligjshme si dhe një shteg drejt marrjes së shtetësisë amerikane për kategorinë e të rinjve të quajtur “dreamers”, të cilët janë sjellë në vend ilegalisht kur ishin fëmijë.

Fjalimi i zotit Trump vjen në një moment të rëndësishëm për një president të ri, të zgjedhur me synimin për të shkundur me shpejtësi Uashingtonin dhe për të bërë realitet premtimet e dështuara të politikanëve të karrierës.

Fillimi kaotik i Presidentit Trump në detyrë ka bërë që deri tani miratimi i publikut për të të jetë historikisht i ulët për një president të ri. Vetëm 44 për qind e amerikanëve e miratojnë punën e bërë prej tij, sipas një sondazhi të ri të NBC News / Wall Street Journal.

Këshilltarët thonë se disa pjesë të fjalimit të zotit Trump do t’i kushtohen mbrojtjes së veprimeve që ai ka ndërmarrë deri tani.

Në politikën e jashtme, Presidenti Trump pritet të shprehë mbështetje për NATO-n, por të përsërisë thirrjen që vendet partnere të përmbushin detyrimet e tyre financiare ndaj aleancës ushtarake. Trump e ka quajtur më parë NATO-n “të vjetëruar”, duke ngjallur nervozizëm te disa prej aleatëve.

PËRPARËSITË BUXHETORE

Pritet që presidenti të parashtrojë përparësitë e tij buxhetore për vitin e ardhshëm, përfshirë theksin tek shpenzimet për ushtrinë dhe shkurtime të programeve për ndihma ndërkombëtare dhe shpenzimeve të brendshme.

Presidenti Trump bëri një prezantim të temave të fjalimit në një takim me guvernatorë shtetesh në Shtëpinë e Bardhë.

“Ky buxhet do të jetë mishërimi i premtimeve që bëra për të garantuar sigurinë e Amerikës, për të mos lejuar futjen e terroristëve, kriminelëve; për të mos lejuar lirimin nga burgjet të keqbërësve të dhunshëm, ose për t’i larguar ata nga vendi”.

Përveç rritjes së buxhetit për mbrojtjen dhe shkurtimit të programeve të brendshme, ligjvënësit presin të dëgjojnë hollësi mbi propozimet fiskale dhe planin për kujdes shëndetësor të presidentit, thotë analisti John Fortier:

“Por ai dhe republikanët në Kongres janë dakord në vija të përgjithshme për shfuqizimin e ligjit të Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor, si dhe për nevojën për shkurtime taksash, forcimin e mbrojtjes së kufirit dhe reforma në rregulloret; në këto gjëra ai do të ketë mbështetjen e kolegëve republikanë”.

Demokratët duken të prirur t’i bëjnë rezistencë shumë prej nismave të presidentit. Këtu përfshihet edhe kreu i ri i Partisë Demokrate, Tom Perez:

“Donald Trumpi nuk përfaqëson Amerikën. Nuk do t’i lejojmë idetë e tij ta përçajnë Amerikën. Ne si parti do të udhëheqim me vlerat tona”.

Në takime me votuesit gjatë ditëve të fundit është shfaqur shpesh revoltimi lidhur me ndryshimet e pritshme në programin për kujdes shëndetësor, përfshirë në një takim të Senatorit Mitch McConnell:

“Veteranët janë të sëmurë, janë të demoralizuar dhe nuk u ofrohet ndihma që u nevojitet!”

Edhe presidenti duket i përgatitur për betejë, jo vetëm me demokratët, por edhe me median.

“Duhet t’i luftojmë. Media është shumë e zgjuar, shumë dinake dhe e pandershme,” thotë presidenti.

Disa republikanë i konsiderojnë sulmet ndaj medias si një zhvendosje e panevojshme e vëmendjes nga temat parësore. Por ata që e njohin Donald Trumpin, thonë se ai karakterizohet nga një natyrë e paparashikueshme:

“Ai bëhet qëllimisht i paparashikueshëm. Kjo ka qenë strategjia e tij që e dallon nga presidentët e tjerë që janë përpjekur të jenë sa më të parashikueshëm. Një sjellje e tillë po e trondit sistemin politik dhe udhëheqësit në Kongres do të duan kohë të mësojnë si të reagojnë ndaj kësaj sjelljeje,” thotë strategu republikan John Feehery.

Presidenti Trump mund ta përdorë fjalimin e tij sonte edhe për të qetësuar votuesit pas një fillimi kaotik të presidencës së tij, si dhe për të rritur popullaritetin që është mjaft i ulët për të si president i ri.

XS
SM
MD
LG