Lidhje

SHBA: Sessions tërhiqet nga hetimi rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhje


Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions tha se ai do të tërhiqet nga një hetim federal rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e 2016-s për Shtëpinë e Bardhë.

“E ndiej se nuk duhet të përfshihem në hetimin e një fushate në të cilën unë kisha një rol,” tha zoti Sessions në një konferencë shtypi të enjten pasdite.

Komentet e Prokurorit të Përgjithshëm vijnë në një atmosferë thirrjesh që ai të jepte dorëheqjen ose të tërhiqej nga procesi i hetimeve rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e nëntorit.

Zoti Sessions foli dy herë gjatë fushatës me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara. Këto biseda duket se bien në kundërshtim me deklaratat që ai bëri gjatë seancave të konfirmimit të tij në Kongres.

Zoti Sessions hodhi poshtë çdo aludim se ishte përpjekur të gënjente rreth kontakteve me rusët. “Ky nuk është synimi im; kjo nuk është e saktë”.

Zoti Sessions, këmbënguli se ai nuk u takua me zyrtarë rusë për të diskutuar mbi fushatën elektorale.

Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, e mori në mbrojtje Prokurorin e Përgjithshëm, duke thënë se ai thjesht bëri punën e tij si ish-senator, kur foli me ambasadorin rus.

Presidenti Donald Trump tha të enjten se “nuk ishte në dijeni” që Prokurori i Përgjithshëm të kishte patur kontakt me ambasadorin rus gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar.

Presidenti Trump i bëri komentet në Newport News të shtetit Virxhinia, para se të mbante një fjalim në bordin e aeroplanmbajtëses USS Gerald Ford.

Ai tha se ka besim të plotë tek Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions.

REAGIMET NË KONGRES

Disa demokratë në Kongres po kërkojnë që zoti Sessions të japë dorëheqjen për shkak të kontakteve me rusët. Udhëheqësit demokratë dhe disa republikanë thonë se ai duhet të tërhiqet nga një hetim federal rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhje.

Kryetari i Komisionit për Inteligjencën në Dhomën e Përfaqësuesve, Devin Nunes, tha se ai ende nuk ka ndonjë dëshmi që njerëz të lidhur me fushatën presidenciale të zotit Trump të kenë patur kontakte të papërshtatshme me zyrtarët rusë.

Kongresmeni i bëri komentet për gazetarët pasi anëtarët e komisionit dëgjuan një raportim të Drejtorit të FBI-së James Comey.

Nunes tha se kontakti i vetëm për të cilin ai ka dijeni ishte ai mes ish-këshilltarit të zotit Trump për sigurinë kombëtare, Michael Flynn, dhe ambasadorit rus në Shtetet e Bashkuara.

Sessions tha në një intervistë për NBC News, se "kur të jetë e përshtatshme", ai do ta përjashtojë veten nga hetimi i agjencisë së tij lidhur me mundësinë e lidhjeve të fushatës së zotit Trump me zyrtarë rusë.

SESSIONS DHE DEKLARATA E TIJ

Ndërkohë që ishte anëtar i senatit, Jeff Sessions mbështeti kandidaturën e zotit Trump për president dhe u bë këshilltar i fushatës së tij.

Pasi u emërua si kandidat për të drejtuar Departamentin e Drejtësisë, zoti Sessions u pyet në seancën e konfirmimit në muajin janar se çfarë do të bënte nëse provohej se dikush nga fushata e zotit Trump kishte qenë në kontakt me Rusinë.

"Nuk kam dhe nuk kam pasur komunikime me rusët," u përgjigj ai.

Në fakt, zoti Sessions kishte takuar ambasadorin rus Sergei Kislyak në muajin korrik gjatë Kuvendit Kombëtar Republikan. Në shtator, e kishte takuar përsëri në zyrën e tij në Kongres.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Sarah Isgur Flores, tha se nuk kishte asnjë gënjeshtër në deklaratën e bërë nga zoti Sessions gjatë seancave të konfirmimit.

Prokurori i përgjithshëm bëri më pas një deklaratë ku thoshte se "kurrë nuk ishte takuar me ndonjë zyrtar rus për të diskutuar mbi çështjet e fushatës."

Senatori Al Franken, i cili e pyeti zotin Sessions për Rusinë gjatë konfirmimit, ishte ndër demokratët të cilët thanë mbrëmë se prokurori i përgjithshëm nuk duhet të përfshihet në asnjë hetim për çështjet e ndërhyrjes ruse në zgjedhje.

Byroja Federale e Hetimeve, që është pjesë e Departamentit të Drejtësisë, po heton rreth aktiviteteve të Rusisë, që synonin të krijonin çrregullime në zgjedhjet amerikane. Ajo po heton gjithashtu rreth çdo lidhjeje të mundshme mes fushatës së zotit Trump dhe qeverisë së presidentit rus Vladimir Putin.

Komisioni i Senatit për inteligjencën po kryen hetimin e tij, ndërsa komisioni homolog i Dhomës së Përfaqësuesve njoftoi dje kriteret mbi të cilat do të fillonte edhe ai hetimet.

REAGIMI I RUSISË

Një zëdhënës rus tha të enjten se nuk ishte në dijeni për ndonjë takim mes ish-senatorit Sessions, tani Prokuror i Përgjithshëm dhe ambasadorit të Rusisë gjatë fushatës presidenciale vitin e kaluar.

"Nuk kam dijeni për ndonjë takim", u tha Dmitry Peskov gazetarëve kur u pyet nëse zoti Sessions ishte takuar me ambasadorin Kislyak.

Peskov tha se nuk ishte e pazakontë që diplomatët rusë të takoheshin me ligjvënësit amerikanë.

Presidenti Trump, i cili ka shprehur në mënyrë të përsëritur dëshirën për të forcuar marrëdhëniet me Rusinë, ka akuzuar ish-zyrtarë të administratës Obama se janë përpjekur ta diskreditojnë.

XS
SM
MD
LG