Lidhje

Shumica ftesë për dialog, opozita: Gati, por për qeveri të re


Në Shqipëri shumica e majtë u shpreh sot e gatshme të dialogojë me opozitën e cila që prej dy javësh ka nisur një protestë pa afat në sheshin përpara godinës së Kryeministrisë, duke deklaruar se është e gatshme të mirëpresë çdo propozim konkret dhe realist për procesin zgjedhor. Opozita u përgjigj duke u shprehur se është gjithashtu gati, duke i qëndruar idesë se kushtet për zgjedhje të lira krijohen përmes një qeverie me mbështetje të gjerë politike. Shkëmbimet mes palëve u bënë në prag të vizitës së sotme në Tiranë të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit europian Federica Mogherini.

Tiranë, qeveria ftesë për dialog opozitës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00

Ftesa për opozitën erdhi pas një takimi që kryeministri Edi Rama pati me kryetarin e parlamentit, njëkohësisht dhe dretuesin e Lëvizjes socialiste për Integrim Ilir Meta, aleati kryesor i socialistëve në koalicionin qeverisës. “Në fokus të takimit ishin Reforma në Drejtësi, procesi i rivlerësimit si hap i parë në zbatimin e saj, si edhe Reforma Zgjedhore dhe domosdoshmëria për një proces zgjedhor me besueshmëri të lartë e transparencë të plotë”, shpjegon deklarata e shpërndarë pas takimit në të cilën saktësohet se “koalicioni qeverisës është i gatshëm të dialogojë me opozitën për domosdoshmërine e çuarjes përpara të këtyre reformave me interes kombëtar e publik, duke mirëpritur edhe çdo propozim konkret dhe realist të opozitës për procesin zgjedhor”. Drejtuesit e shumicës nënvizuan se janë të gatshëm “për të dialoguar me përfaqësuesit e opozitës në parlament apo në çdo tryezë dialogu që është e dëshirueshme për opozitën”.

Pas kësaj ftese të shumicës, kryetari i PD Lulzim Basha mblodhi aleatët e opozitës, pas të cilës ata u shprehën gjithashtu të gatshëm “për një tryezë dialogu të vërtetë dhe jo fasadë” siç nënvizon deklarata. Opozita rikonfirmoi qëndrimin për “një qeveri me mbështetje të gjerë politike” e cila sipas saj duhet të garantojë përveç përgatitjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme” edhe “zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit; luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës si dhe zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut”. Opozita është shprehur publikisht se e gjithë paketa ligjore për vënien në zbatim të reformës në Drejtësi duhet rishikuar përfshirë ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndonëse ai është konfirmuar dhe nga Gjykata Kushtetuese.

Pas përgjigjes së opozitës, erdhi reagimi nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë socialiste Gramoz Ruci. “Ka shumë për të folur edhe për katër pikat e propozuara e sapo shtruara nga opozita” nënvizon deklarata e tij ndërsa shprehet gatishmëria për të biseduar “në parlament, në komisione apo ku të dëshirojë Partia Demokratike”, pohon zoti Ruci duke saktësuar megjithatë se “kush është në qeveri e kush në opozitë e vendos vetëm Populli me votën e tij”, duke hedhur kështu poshtë kërkesën për largimin e qeverisë.

Shkëmbimet në distancë mes palëve erdhën pak orë para vizitës në Tiranë të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit europian, për politikën e jashtme dhe sigurinë, Federica Mogherini. Brukseli ka kritikuar vendimin e opozitës për të bojkotuar parlamentin, gjë e cila sjell si pasojë bllokimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, e mbështetur me forcë nga Bashkimi europian dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës. Në rrezik është vazhdimi i procesit të rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve, pasi komisionet parlamentare të cilat duhet të bëjnë përzgjedhjen e kandidaturave për në strukturat e rivlerësimit, kanë një përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe opozitës dhe pa praninë e kësaj të fundit ato nuk mund të funksionojnë.

Në një komunikim dje me disa gazetarë shqiptarë edhe ambasadori amerikan Donald Lu u shpreh se “Shtetet e Bashkuara dhe unë personalisht, tha Lu, ndajmë disa nga synimet e protestës aktuale: thirrjen për zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimin, veprime më vendimtare kundër narkotikëve. Ajo që nuk ndajmë janë disa nga metodat: bojkoti i parlamentit, çfarëdo kërcënimi për të bojkotuar apo bllokuar zgjedhjet, bllokimi i reformës zgjedhore, apo zbatimi i reformës në drejtësi”.

Por sërish edhe mbrëmë zoti Basha ka këmbëngulur, duke u shprehur se ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve “do votohet vetëm kur të jetë hapur rruga për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zgjedhje të lira arrihen vetëm përmes një qeverie teknike, asnjë zgjidhje tjetër, është utopike, naive dhe e rrezikshme për vendin tu thuash shqiptarëve mbani dhe ca kohë kriminelët në parlament, ndoshta bëhen dhe ndoshta nuk bëhen zgjedhje të ndershme por hajde të votojmë vetingun”, tha drejtuesi i opozitës.

XS
SM
MD
LG