Lidhje

Lavrov: Ambasadori rus ka ushtruar detyrën diplomatike


Ministri i Jashtëm i Rusisë dënoi sot mënyrën se si po paraqiten kontaktet e ambasadorit të vendit të tij në Uashington. Zoti Lavrov foli për një “gjueti shtrigash” ndërsa saktësoi se ambasadori rus ka kryer detyrën e tij të rregullt diplomatike nëpërmjet kontakteve me zyrtarët amerikanë.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha sot se skandali politik rreth kontakteve ndërmjet ambasadorit rus dhe anëtarëve të administratës Trump, i ngjan një “gjuetie shtrigash”:

“Ambasadorët caktohen për të mbështetur marrëdhëniet dhe e bëjnë këtë nëpërmjet takimeve, bisedave dhe kontakteve me zyrtarë të ekzekutivit, si dhe me ligjvënës, udhëheqës dhe organizma joqeveritare. Kjo praktikë nuk është vënë ndonjëherë në pikëpyetje. Mund të citoj vetëm shtypin e sotëm; duket ‘si një gjueti shtrigash’.”

Zoti Lavrov shtoi se nëse përdoret e njëjta përqasje ndaj takimeve që bën ambasadori amerikan në Moskë, skena do ishte bërë vërtet qesharake.

Në SHBA, ishte gazeta “The Washington Post” që njoftoi fillimisht se Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions, nuk pati treguar për dy takime të zhvilluara me ambasadorin rus, përpara se Presidenti Trump të merrte detyrën.

Sipas gazetës, ata u takuan fillimisht në zyrën e tij, gjatë periudhës gjë zoti Sessions ishte ndihmës i lartë i fushatës Trump.

Ndërsa takimi i dytë u zhvillua gjatë një aktiviteti të Fondacionit “Heritage”, në kuadrin e Kuvendit Republikan dhe në kulmin e akuzave të ngritura nga zyrtarët amerikanë të zbulimit se Rusia kishte ndërhyrë në fushatën zgjedhore për të favorizuar kandidatin republikan.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG