Lidhje

Mogherini: Bojkoti i parlamentit, vonon integrimin

  • Armand Mero

“Bojkoti i parlamentit do të thotë bllokim i krijimit të Komisionit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe de facto ndal progresin drejt Bashkimit europian dhe kjo në një moment kur vendi ka mundësinë e vërtetë që të ecë përpara në rrugën drejt BE. Ky është një mesazh që e kam përcjell fare qartë”, deklaroi sot në mbrëmje në përfundim të takimeve të saj në Tiranë me të gjithë drejtuesit kryesorë politik të vendit, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini. “Ata që po përpiqen të vonojnë apo ulin ritmin e reformave do të rrezikojnë integrimin në BE”, theksoi zonja Mogherini ndërsa nënvizoi se “ne si BE, jemi gati, siç kemi qenë, që të vazhdojmë të jemi të besueshëm e të çelim negociatat me Shqipërinë, në momentin kur zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe në veçanti rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të nisë. Tani e keni radhën ju”.

Që në fillim të vizitës së saj, në një takim me studentë të Universitetit të Tiranës, zonja Mogherini deklaroi se “betejat politike zhvillohen brenda parlamentit i cili është dhe zemra e demokracisë”. Vizita e saj përkoi me një situatë të ndezur politike. Opozita prej dy javësh po proteston para selisë së Kryeministrisë duke kërkuar formimin e një qeverie teknike që do të garantonte zgjedhjet të lira e të ndershme 18 Qershorin e ardhshëm. "Udhëheqësit politikë kanë përgjegjësi sa i përket veprimit brenda institucioneve. Lufta politike mund të jetë e fortë, por ashtu si dhe në një lojë futbolli, ndeshja bëhet brenda fushës dhe jo jashtë saj”, u shpreh zonja Mogherini.

Më herët dhe përfaqësuesë të tjerë europianë kanë kritikuar vendimin e opozitës shqiptare për të dalë nga parlamenti, duke theksuar nevojën që vendi ka për të çuar përpara reformat e nisura dhe veçanërisht Reformën në Drejtësi dhe zbatimin e procest të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por dhe takimi me zonjën Mogherini nuk ka sjellë asnjë ndryshim në qëndrimin e opozitës. Pas bisedës me të, zoti Basha ripërsëriti kërkesën për një qeveri teknike e cila “të zbatojë ligjin për dekriminalizimin, të ndërmarë një aksion energjik kundër drogës që kërcënon zgjedhjet, të krijojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, duke i hapur kështu rrugë dhe reformës në drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut”. I pyetur se cili kishte qenë pozicioni i zonjës Mogherini, kryetari demokrat Basha tha se “kauza jonë, kauza e qytetarëve shqiptarë ka mirëkuptim dhe mbështetje totale nga të gjithë ata të cilët i kanë dashur dhe i duan të mirën Shqipërisë”, duke shtuar se “qeveria teknike, është e vetmja rrugëdalje. Çdo rrugë tjetër e çon vendin në humnerë nën ndikimin e krimit”. Pavarësisht kritikave të përfaqësuesve ndërkombëtarë, por edhe të vetë zonjës Mogherini për bojkotin e parlamentit, zoti Basha këmbënguli duke deklaruar se “nuk ka dhe nuk ka për të patur parlament tjetër veç Sheshit të Lirisë deri në arritjen e një Pakti kombëtar për zgjedhje të lira e të ndershme”.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG