Lidhje

Basha: dialog vetëm për qeveri teknike

  • Armand Mero

Në Shqipëri, kryetar i opozitës Lulzim Basha tha sot se i vetmi dialog me shumicën mund të jetë ai për largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Më herë zoti Rama kishte deklaruar se shumica ishte e gatshme të fliste për cdo gjë me opozitën por se kush është në qeveri e kush në opozitë e vendos populli. Zoti Basha foli me një gjuhë të ashpër dhe ndaj deklaratave të mbrëmshme në Tiranë të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit europian Federica Mogherini. Ai i quajti broçkulla, pohimet e saj se BE është e gatshme të nisë bisedimet për anëtarësim, sapo të nisë zbatimi i Reformës në Drejtësi:

Mundësitë e dialogut për një rrugëdalje nga situata e rënduar politike në të cilën gjendet vendi për shkak të protestës së opozitës dhe bojkotimit nga ana e saj të parlamentit duket se vetëm po shterrojnë. Pas shkëmbimeve të djeshme në distancë të ofertave për bisedime mes shumicës dhe opozitës, kryeministri Edi Rama tha sot se opozita ka të drejtë të kërkojë çdo gjë, dhe se shumica ka detyrimin t’i konsiderojë me seriozitet kërkesat e saj, duke përjashtuar idenë e qeverisë teknike: “Ne jemi gati të ulemi vetë, ballë për ballë me këdo që paraqitet nga çadra dhe jemi gati të diskutojmë çdo gjë, pa kushte. Por bëhet fjalë për dialog, pra, bëhet fjalë për dy palë dhe ka gjëra që mund të biem në dakord, ka gjëra që s’mund të biem dakord dhe ka gjëra që edhe po të duam të biem dakord, nuk biem dot dakord, sepse i kalojnë përgjegjësitë dhe kompetencat tona. Është kompetencë e popullit shqiptar ta ndajë se kush është në qeveri dhe kush është në opozitë. Nuk është kompetencë e askujt”

Por për opozitën e vetmja zgjidhje mbetet një qeveri teknike: “Nuk ka bisedime, nuk ka negociata, ka vetëm dialog për të përcaktuar largimin e tyre dhe ardhjen e një qeverie teknike. Hapi i parë është qeveria teknike dhe padyshim në qoftë se je i gatshëm të dëgjosh zërin e qytetarëve të tu, ti duhet të kontribuosh një orë e më parë për t’i lënë vendin qeverisë teknike. Përndryshe, vala popullore do të rrethojë, vala popullore do të rrëzojë”, deklaroi sot zoti Basha.

Opozita është gjendur nën kritikat ndërkombëtare për bojkotimin e parlamentit dhe pasojat që ky vendim i saj ka për procesin e Reformës në Drejtësi dhe veçanërisht zbatimin e ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Edhe mbrëmë në Tiranë Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Mogherini u shpreh se "bojkoti i parlamentit do të thotë bllokimi i krijimit të komisioneve të rivlerësimit dhe de facto, kjo ndal procesin e progresit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo, në një moment kur vendi juaj ka mundësinë e vërtetë që të ecë përpara në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian". Sipas zonjës Mogherini, "Bashkimi Europian është gati të çelë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë në momentin që do të fillojë zbatimi i reformës në drejtësi dhe në veçanti rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve".

Por ndaj këtyre deklaratave ka reaguar me një gjuhë të ashpër sot kryetari i opozitës Basha: “Tani po na thonë bëjeni vetingun se do të hapim negociatat. Kësaj në shqip i themi broçkulla, në anglisht ka një fjalë bullshit". Edhe mbrëmë pas takimit me zonjën Mogherini, kreu i opozitës hodhi poshtë në mënyrë kategorike çdo mundësi të rikthimit në parlament pa u arritur më parë sic u shpreh ai një Pakt Kombëtar për zgjedhjetë lira e të ndershme.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG