Lidhje

SHBA, urdhër i ri ekzekutiv për imigracionin


Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi të hënën një urdhër të ri ekzekutiv, që ndalon për tre muaj hyrjen në vend të personave nga gjashtë shtete si dhe për katër muaj hyrjen e të gjithë refugjatëve.

Urdhri i ri vjen pas bllokimit nga gjyqtarët federalë të apelit muajin e kaluar të një urdhri të ngjashëm ekzekutiv.

"Ky urdhër ekzekutiv është një masë me rëndësi jetike për të forcuar sigurinë tonë kombëtare", tha Sekretari i Shtetit Rex Tillerson në një konferencë për shtyp. "Është detyrë solemne e presidentit të mbrojë popullin amerikan," tha zoti Tillerson.

Shpallja e masave të reja të sigurisë përbën një pranim nga ana e administratës Trump se urdhri i saj i parë ekzekutiv, i lëshuar më 27 janar, ishte problematik. Megjithatë, është e paqartë nëse urdhri i ri do t’i kënaqë kritikët, të cilët ende e shohin atë si një ndalim për myslimanët.

Në përpjekje për të siguruar zbatimin me sukses të urdhrit të ri dhe për ta mbrojtur nga sfidat ligjore, administrata ka bërë disa ndryshime nga varianti i mëparshëm.

Ndër ndryshimet më të dukshme është përjashtimi i irakianëve nga lista e udhëtarëve që ndalohen. Urdhri i ri ndalon shtetasit nga Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.

Ndalimi i ri do të hyjë në fuqi më 16 mars dhe nuk i prek personat që kanë kartën e gjelbër, ose udhëtarët me viza të vlefshme që nga 27 janari 2017.

Urdhri i ri heq një dispozitë që ndalon për një kohë të pacaktuar hyrjen në SHBA të refugjatëve nga Siria. Është ndryshuar edhe terminologjia me të cilën u jepej trajtim preferencial pakicave fetare.

Iraku u hoq nga lista e ndalimit, pasi zyrtarët irakianë premtuan rritjen e bashkëpunimit me zyrtarët e SHBA lidhur me procesin e verifikimit.

Bagdati, aleat kyç i SHBA në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik, u ankua kur Iraku u përfshi në listën e ndalimeve në urdhrin e mëparshëm ekzekutiv.

XS
SM
MD
LG