Lidhje

Shtëpia e Bardhë, në mbrojtje të pretendimit për përgjimin e Kullës Trump


Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë i dolën sot në mbrojtje një pretendimit të Presidentit Donald Trump se ish presidenti Barack Obama ka urdhëruar përgjimin e telefonave në Kullën Trump në Nju Jork vitin e kaluar.

Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, James Comey, i ka kërkuar Departamentit të Drejtësisë ta kundërshtojë këtë pretendim.

Por zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha se Presidenti nuk dëshiron ta pranojë pohimin e Drejtorit të FBI-së.

Pretendimin e presidentit Trump e ka vënë në pikëpyetje edhe Drejtori i CIA-s, James Clapper.

Shtëpia e Bardhë ka kërkuar që hetimet për përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e 2016-s, të zgjerohen me hetimin, nëse FBI-ja ka përgjuar zotin Trump me urdhër të administratës Obama.

Zyrtarët amerikanë që komentuan për agjencinë e lajmeve Associated Press dhe për gazetat Washington Post dhe New York Times thanë se kërkesa e zotit Comey vjen pas akuzave të ngritura të shtunën nga Presidenti Trump në Twitter që përfshinte një krahasim me ish-presidentin Richard Nixon, i cili dha dorëheqjen mes një skandali në vitin 1974. Zoti Trump nuk ka ofruar asnjë provë për të mbështetur pohimin e tij.

Ajo që nuk është e qartë është se përse zoti Comey nuk e kundërshtoi vetë deklaratën e zotit Trump. Ai ishte drejtor i FBI-së nën Presidentin Obama dhe departamenti i tij ka patur rol kryesor për hetimin e ndikimit rus në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Sipas ligjit amerikan, një president nuk mund të urdhërojë përgjimin e telefonit të dikujt. Një gjë e tillë do të kërkonte miratimin e një gjykatësi federal dhe duhet të bazohet në dyshime të arsyeshme.

AKUZAT E PRESIDENTIT TRUMP

Të shtunën, Presidenti Trump u kërkoi komisioneve të Kongresit për shërbimet e zbulimit të hetojnë nëse administrata e Presidentit Obama ka shkelur autoritetin e saj ekzekutiv në javët para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, ndërkohë që zhvillojnë hetime mbi rolin që luajti Rusia në procesin zgjedhor.

Zëdhënësi i Presidentit, Sean Spicer, shprehu shqetësim për ato që i cilësoi si procese hetimore që mund të kenë pasur motivacione politike të zhvilluara nga administrata Obama pak para zgjedhjeve.

Pa ofruar ndonjë provë apo argument mbështetës, Presidenti Trump akuzoi zotin Obama të shtunën se kishte përgjuar bisedat telefonike në Kullën Trumë një muaj para zgjedhjeve të nëntorit.

Presidenti është vënë përballë thirrjesh nga anëtarë republikanë e demokratë të Kongresit të ofrojë prova për akuzat.

Ish- Drejtori i Shërbimeve të Zbulimit, James Clapper tha të dielën për emisionin “Meet the Press” të rrjetit NBC se “Nuk kishte aktivitet përgjimi të kryer kundër presidentit të zgjedhur në atë kohë, apo gjatë kohës kur ishte kandidat, dhe as ndaj një pjesëtari të fushatës së tij”.

Akuzat e Presidentit Trump përmes postimeve në Twitter reflektojnë një irritim të dukshëm. Shumë analistë i kanë interpretuar akuzat si reagim ndaj vëmendjes që i është kushtuar kontakteve të personave të afërt me presidentin dhe zyrtarëve të lartë rusë.

Në postimet e tij, zoti Trump ka akuzuar për një komplot për të minuar fushatën e tij, duke i krahasuar aktet me skandalin e Watergatit që i kushtoi Richard Nixonit presidendencën dhe me “McCarthismin” një referencë ndaj hetimeve të viteve 1950, bazuar në akuza shpesh të pabaza, për përfshirje në aktivitet politik të një numër figurash publike.

Presidenti Trump në disa postime e i referohet Barack Obamës si “njeri i keq” apo “njeri i sëmurë”.

Një zëdhënës i zotit Obama reagoi duke i cilësuar akuzat “thjesht fallso”.

Nuk është e qartë nga postimet e Presidentit Trump nëse informacioni të cilit i referohet lidhet me ndonjë dosje informacioni, bisedë apo artikull në internet. Në të kaluarën presidenti u është referuar aludimeve të bëra në blogje apo faqe elektronike me kahje konservatore, në disa raste me deklarata të pavërtetuara.

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar mbi informacionin ku bazohen akuzat e presidentit. Me ligj presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk mund të japë urdhër për të përgjuar shtetas amerikanë. Përgjimi mundësohet pasi Departamenti i Drejtësisë siguron autorizim nga Gjykata e Shërbimeve të Zbulimit, e cila vepron në kushte sekrete.

Zëdhënësi i zotit Obama, Kevin Lewis tha se ishte rregull parësor për administratën Obama që asnjë zyrtar të mos ndërhynte në procese hetimore të Departamentit të Drejtësisë, të cilat duhet të kryehen pa ndërhyrje politike.

Ligjvënësi demokrat Adam Schiff i cilësoi komentet e Presidentit Trump si “akuzat më absurde dhe shkatërrimtare pa ofruar asnjë grimcë prove”.

Senatori republikan Ben Sasse i bëri thirrje presidentit të japë shpjegime mbi rrethanat që e çuan në këtë përfundim “që të sqarohen për publikun e gjerë, ose së paku për Senatin”.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG