Lidhje

Uashingtoni në sezonin e ndryshimit të administratave


Uashingtoni përjeton një rilindje sa herë ndërrohen administratat, në disa raste kryeqyteti i vendit kalon një “shkundje” të përgjithshme, që nga planet e punësimit për personelin e administratës federale, tek turizmi ndërkombëtar e deri tek restorantet e reja që hapen, një administratë e re ndikon tek çdo element i jetës në Uashington. Një valë e re punonjësish federalë ka ardhur gjatë javëve të fundit në Uashington dhe restorantet e pubet po i përgjigjen klientelës së re. Korrespondentja e shërbimit rus Anush Avetisyan ka përgatitur këtë reportazh:

Ashok Bajaj është pronar i restorantit Oval Room – Dhoma Ovale, që ndodhet fare pranë Shtëpisë së Bardhë. Për tetë vjet ai frekuentohej shpesh nga punonjës të administratës Obama. Por deri tani vetëm zëdhënësi i Presidentit Trump ka ardhur në restorant. Pronari shpreson se gradualisht do të ketë më shumë klientë nga stafi i Shtëpisë së Bardhë:

"Administratës së re i duhet pak kohë t’i gjejë restorantet. Në muajin e parë është periudhë tranzicioni, janë në vazhdën e ambjentimit me Shtëpinë e Bardhë dhe gradualisht fillojnë të eksplorojnë zonën përreth, restorantet dhe klubet”.

Të rinjtë demokratë që punonin në administratën Obama dhe që frekuentonin baret e koktejeve, tani janë zëvendësuar nga republikanë të zënë me punën intensive të një administrate të re dhe nuk kanë shumë kohë për argëtim. Ata ndalen për pak minuta në një bar sa për një pije, një birrë apo një vodka, tregon një banakier.

Muajt e parë të një administrate janë disi si një takim i parë dashurie.

"Dallohen ata që janë të rinj në këtë qytet që në momentin që futen në restorant. Stafi ynë i njeh me emër klientët e rregullt, njeh preferencat e tyre në pije, muzikën që u pëlqen. Kur vijnë këta të rinjtë, është si takimi i parë me përshëndetjet dhe prezantimet e para,” thotë Bryson Lefmann që punon në një restorant pranë Kapitolit.

Klientët që intervistoi Zëri i Amerikës në restorantin Capitol Lounge, në shumë raste ishin në Uashington për “punë politike” disa për pak ditë, të tjerë për punë afat-gjatë.

"Punoj në Teksas me politikanët lokalë. Tani për qytetin San Antonio përparësi kryesore është t’i shpjegojmë Kongresit dhe administratës së re sa me vlerë është për ekonominë e Teksasit marrëveshja NAFTA për tregti të lirë në Amerikën e Veriut,” thotë një jurist nga Teksasi.

“Në bar kanë vënë këtë sloganin “S’ka politikë, s’ka birrë Miller Light”. Më pëlqen pasi ky është bar i madh dhe frekuentohet nga personeli i Kongresit pas pune,” thotë një i ri që punon si praktikant në Kongres.

Vala e republikanëve do të dojë pak kohë që të ambjentohet me Uashingtonin dhe ndërkaq pronarët e restoranteve dhe bareve shpresojnë që së shpejti të fillojnë t’i shohin si klientë të rregullt në bizneset e tyre.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG