Lidhje

Shqipëri, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Rroshit


Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese rrëzoi të martën kërkesën e ish kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi për të shpallur të pavlefshëm vendimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për heqjen e mandatit të tij në drejtimin e Bashkisë, si dhe të vendimit pasues të Qeverisë për shkarkimin nga detyra.

Pas aktit të Gjykatës, pritet që presidenti Bujar Nishani të shpallë datën e zgjedhjeve të reja për kryetarin e Bashkisë së Kavajës.

Heqja e mandatit për Rroshin, në fund të dhjetorit të kaluar, u bë në bazë të ligjit të dekriminalizimit, pas të dhënave të grumbulluara nga Prokuroria e Përgjithshme, sipas të cilave ish kryebashkiaku kishte fshehur disa të dhëna për të kaluarën e tij.

Ai rezulton të ketë qenë “i dënuar për veprën penale të përdhunimit në grup", në vitin 1995 në Itali. Po ashtu,sipas të dhënave, nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër. Në prill 1993, rezulton se Rroshi “ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil, 14 maj 1993, është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë.

Në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në gusht 1997 është dëbuar sërish”. Sipas Prokurorisë, rezulton edhe që në vitin 2015 të ketë qenë nën hetim, me një nga emrat e ndryshëm që ka përdorur, dhe nga Agjencia amerikane e luftës kundër drogës, DEA, e cila “në vitin 2015, ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash”.

Kryebashkiaku i Kavajës, ishtë vënë prej kohësh në shënjestër të akuzave për të kaluarën e tij.

Në Maj të vitit të kaluar ai dha dorëheqjen pasi u bë publik vendimi i dënimit të tij për “përdhunim në grup”. Kryeministri Edi Rama e kishte mbështetur publikisht atë ndaj lumit të akuzave.

Por pas dorëheqjes, kreu i qeverisë reagoi duke deklaruar se “gjithkush që ka një dënim gjykate me heqje lirie, nuk e ka dot mbështetjen e Partisë Socialiste për të kandiduar për çfarëdoqoftë apo qëndruar në një detyrë publike që ka”.

Megjithatë ai nuk shkoi më tej se kaq, dhe nuk firmosi shkarkimin e Rroshit i cili më pas u tërhoq nga ideja e largimit vullnetar nga detyra, ndonëse në qershor do të arrestohej.

Në muajin Tetor, me vendim Gjykate atij ju hoq “arresti shtëpiak”, ndërkohë që hetimi ndaj tij vazhdon.

XS
SM
MD
LG