Lidhje

Ivanov fajëson Tiranën dhe Prishtinën për tensionet në Maqedoni

  • Isak Ramadani

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov u ka dërguar letër drejtuesve të Bashkimit Evropian dhe Natos, si dhe presidentit amerikan Donald Trump dhe atij turk, Rexhep Taip Erdogan, të cilëve u kërkon të dënojnë atë që ai e quan "Platformë shqiptare" dhe ndërhyrjen e "dy vendeve fqinje" në punët e brendshme të Maqedonisë.

Ai u bën thirrje "miqve të Maqedonisë", siç i quan ai, që ta shqyrtojnë me vëmendje realitetin me të cilin përballet vendi dhe që Brukseli, Uashingtoni dhe Ankaraja të angazhohen që kjo "platformë e dëmshme", sipas tij, të hidhet poshtë publikisht dhe të dënohet. Ai thotë se pret të dënohet ndërhyrja flagrante në punët e brendshme të Maqedonisë nga ana e dy shteteve fqinje, që aspirojnë anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, duke aluduar për Shqipërinë dhe Kosovën.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë e quan reagimin e zotit Ivanov, një përpjekje për të shpëtuar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski nga përgjegësitë e tij dhe thirrjet për dhunë. Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim theksoi edhe një herë se platforma në fjalë është përpiluar në Shkup dhe se ajo nuk e rrezikon karakterin unitar, as kushtetutën e Maqedonisë. Ajo që po njihet si platformë e partive shqiptare përfshin disa kërkesa, ndër të cilat zyrtarizimin e gjuhës shqipe si kusht për pjesëmarrjen e këtyre partive në qeverinë e re të Maqedonisë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG