Lidhje

Reagime të forta për një nyje të re rrugore në Gjirokastër

  • Raimond Kola

Projekti i ndërtimit të një nyje të re rrugore në Qendrën Historike të Gjirokastrës po ngjall reagime të forta. Një grup akademikësh, profesorësh të njohur dhe specialistësh përmes një peticioni të shoqëruar me një material teknik u kanë kërkuar autoriteteve të anullojnë planet për ndërtimin e kësaj nyjeje rrugore prej gati gjysëm kilometri.

Relacioni është hartuar nën udhëheqjen e akademikut Emin Riza, hartues i dosjes së Gjirokastrës për UNESCO-n, ndërkohë që në peticion janë shprehur Agim Mero, kryetari i Forumit për Mbrojtjen e Vlerave të Gjirokastrës, akademiku Luan Omari, prof. Farudin Hoxha dhe akademikë dhe specialistë të njohur në vend. Shqetësimit të Forumit i është bashkuar sipas Forumit edhe shkrimtari i shquar Ismail Kadare.

“Projekti për ndërtimin e një rruge të re, të ashtuquajtur “Bypass” shkatërron një pjesë të qytetit muze të Gjirokastrës, vendndodhje e trashëgimisë botërore-UNESCO dhe vë në rrezik zonën përreth”, thuhet në relacionin e përgatitur nga 30 specialistë të urbanistikës dhe trashëgimisë kulturore.

Relacioni vlerëson se “projekti prek vlerat e jashtëzakonshme universale të qytetit të Gjirokastrës, vlera të cilat i kanë dhënë statusin e trashëgimisë botërore”. Në realacion thuhet se “Grupi i ekspertëve ka identifikuar 5 grupe argumentesh kryesore që ekspozojnë problematikën shumëplanëshe dhe ndikimin e madh negativ të projektit që është miratuar më 13 shtator 2016 nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.

Relacioni përmban një kronologji të procesit të projektit ku renditen shkelje procedurale, administrative dhe ligjore, probleme të rënda tekniko-profesionale, shpërputhje me prioritet e Qendrës Historike dhe Zonës së Mbrojtur në Gjirokastër dhe ndikime negative në vlerat e jashtëzakonshme universale.

Konkursi për nyjen e re rrugore u shpall nga Qeveria shqiptare në Nëntor të vitit 2015 me një finacim prej 40 mijë dollarëve për idenë e projektit dhe synonte shmangien e trafikut e makinave në zonën e Pazarit të Gjirokastrës ,që njihet si epiqendra kryesore e turizmit.

Pas vlerësimit të një jurie ndërkombëtare në Dhjetor të vitit 2015 projektimi iu besua Kompanisë “Atelie 4” e cila firmosi një kontratë me autoritetet për hartiminve projektit në vlerën e rreth 150 mijë dollarëve, projekt qe u miratua ne shtator te vitit te shkuar.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG