Lidhje

Shqipëri, dhunë ndaj gazetarit Fundo


Në Shqipëri, gazetari Elvi Fundo, drejtues i portalit të lajmeve ‘Citynews.al’ është sulmuar gjatë ditës së sotme nga dy persona ende të panjohur të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj tij. Sipas njoftimit të bërë në faqen e Citynews.al ngjarja ka ndodhur “në orën 10:40 minuta, në zonën e “Stacionit të Trenit”, te stacioni i autobusëve, në mes të rrugës dhe në prani të shumë qytetarëve. Personat e kanë ndjekur nga pas gazetarin dhe e kanë goditur me mjete të forta, duke e shtrirë në tokë”. Gazetari Fundo është dërguar më pas në Spitalin Ushtarak ku ka marë ndihmën e parë mjekësore. “Mjekët thonë se gjendja është e kalueshme, por duhet të qëndrojë në spital për disa ditë”.

Ende janë të paqarta motivet e ngjarjes, e cila është dënuar nga mjaft gazetarë, ndërkohë që ka patur dhe një deklaratë të Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA përmes së cilës shpreh “shqetësim të thellë për aktin e goditjes brutale të gazetarit Elvi Fundo dhe apelon autoritetet që të gjejnë sa më pare autorët. Ne e konsiderojmë këtë akt të rëndë si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj medias dhe fjalës së lirë. Fundo prej vitesh është i angazhuar në transmetimet radiofonike, si dhe njihet si një gazetar kritik ndaj zhvillimeve në vend. Goditja në publik e një punonjësi aktiv të medias është një zhvillim trishtues dhe alarm për demokracinë”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama shkruan se “Dënoj me forcë aktin e dhunës ndaj gazetarit Elvi Fundo. Zbardhje e plotë sa më parë e këtij krimi”. Kryeministri shton se ndjen “neveri për politizimin e kësaj barbarie nga Partia Demokratike”. Kjo e fundit duke dënuar “ashpërsi sulmin banditesk ndaj gazetarit Elvi Fundo” shprehet në një deklaratë për ngjarjen se “kjo goditje ndaj fjalës së lirë dhe lirisë së shypit vjen në kohën kur qeveria Rama është e angazhuar frontalisht në shantazhe dhe kërcënime ndaj medias me qëllim kapjen e saj totale dhe asgjesimin e fjalës së lirë”.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG