Lidhje

Wikileaks, reagojnë kompanitë e teknologjisë


Firmat e mëdha amerikane të teknologjisë thonë se kanë filluar nga puna për të përmirësuar pikat e dobëta që mund të kenë sistemet e tyre operuese, një ditë pasi WikiLeaks publikoi dokumente që dyshohet se tregojnë arsenalin e Agjencisë Qendrore të Zbulimit për hakerim apo për të përgjuar njerëzit përmes mikrofonave në telefonat celularë dhe paisje të tjera elektronike si aparatet televizive inteligjente.

Në një deklaratë të publikuar të mërkurën nga Apple thuhet se kompania ka filluar të zgjidhë shumë prej çështjeve të identifikuara në dokumentet e nxjerra nga WikiLeaks, ndërsa thotë se do të vazhdojë të punojë me shpejtësi për të trajtuar çdo dobësi që mund të identifikohet.

“Gjithmonë u kërkojmë klientëve që të shkarkojnë programet më të fundit për të patur përditësimet më të fundit të sigurisë”, thotë firma Apple.

Kompania Samsung bëri një koment të ngjashëm duke thënë se kishte dijeni për njoftimet dhe se po e trajton çështjen me shumë urgjencë.

“Mbrojtja e privatësisë së konsumatorëve dhe siguria e paisjeve tona ka përparësi kryesore për Samsungun”, thotë kompania me qendër në Korenë e Jugut.

Sipas dokumenteve të WikiLEaks, CIA kishte zbuluar dobësi brenda programeve operuese të përdorura nga kompanitë Apple, Google, Microsoft dhe prodhues të tjerë amerikanë, por në vend që të informonte kompanitë për problemet, ajo i la njerëzit të ekspozuar ndaj mundësisë së hakerimit.

Në deklaratën e WikiLeaks që shoqëronte publikimin e dokumenteve thuhej se “Duke fshehur këto të meta sigurie nga kompanitë prodhuese si Apple dhe Google, CIA u sigurua se mund të hakeronte këdo në kurriz të njerëzve që mund të bëheshin pre e hakerimit”.

Agjencia Qendrore e Zbulimit nuk e ka konfirmuar dhe as nuk e ka hedhur poshtë legjitimitetin e dokumenteve, megjithëse WikiLeaks ka një rekord thuajse të përsosur përsa i përket vërtetësisë së dokumenteve që publikon.

NJË TJETËR E PAPRITUR PËR KOMUNITETIN E ZBULIMIT

Publikimi të martën i dokumenteve sekrete, që Wikileaks pretendon se janë të CIA-s, ishte një tjetër e papritur për komunitetin amerikan të zbulimit. Lajmi ka ringjallur shqetësimin mbi aftësinë e agjencive amerikane të zbulimit për të siguruar informacionet sekrete.

Zëri i Amerikës nuk ka arritur të verifikojë në mënyrë të pavarur vërtetësinë e 8,771 dokumenteve të publikuara në faqen e internetit të WikiLeaks, por ekspertët e sigurisë kibernetike dhe ish-zyrtarë të zbulimit thonë se shumë nga dokumentet duket të jenë të vërteta. WikiLeaks pretendon se dokumentet përshkruajnë "të gjitha aftësitë hakeruese" të CIA-s.

"Kam folur me një ish- punonjës të CIA-s, i cili më tha se ky është vërtetë një lajm i keq. Ai tha se do të ketë një vlerësim dhe analizë serioze brenda CIA-s dhe se do të ishte i befasuar nëse njerëz brenda CIA-s nuk do të humbisnin vendin e punës për këtë çështje," thotë Raphael Satter​, gazetar i Associated Press​.

WikiLeaks tha se mjetet kibernetike të agjencisë së spiunazhit ishin shpërndarë mes disa ish-hakerëve të qeverisë amerikane dhe më pas njëri prej tyre i ndau ato me WikiLeaks.

“Ne nuk komentojmë mbi vërtetësinë ose përmbajtjen e dokumenteve që pretendohet të jenë sekrete”, tha zëdhënësi i CIA-s, Jonathan Liu.

Ndërsa ish-drejtori i CIA-s, Michael Hayden i tha rrjetit MSNBC se nëse dokumentet janë të vërteta dhe “shpjegojnë taktikat, teknikën, procedurat, objektivat dhe rregulla të tjera politike, atëherë kjo do të ishte shumë e dëmshme”.

Kryetari i komisionit për Çështjet e Kudërzbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Davin Nunes tha se ishte tepër i shqetësuar nga publikimi i dokumenteve dhe i ka kërkuar komunitetit amerikan të zbulimit më shumë informacione.

Publikimi i numrit të madh të dokumentave që WikiLeaks pretendon se në përmbajtjen e tyre shpjegojnë aftësitë kibernetike të CIA-s vjen në një moment tepër të ndjeshëm: komuniteti amerikan i zbulimit është i përfshirë në një konfrontim me administratën e presidentit Donald Trump mbi pohimet për ndërhyrje kibernetike ruse që kishin si synim ndikimin në zgjedhjeve presidenciale.

XS
SM
MD
LG