Lidhje

SHBA, 6 shtete sfidojnë urdhrin e ri të Presidentit për imigracionin


Shkon në gjashtë numri i shteteve që po sfidojnë urdhrin e rishikuar të presidentit Donald Trump që ndalon udhëtimet nga gjashtë vende me shumicë myslimane.

Shteti i Havajit ishte i pari që ngriti një padi, duke argumentuar se urdhri i ri do të dëmtojë myslimanët që jetojnë në këtë shtet.

Pesë shtete të tjera kanë ngritur një padi të përbashkët ndaj urdhrit të zotit Trump i parashikuar të zëvendësojë urdhrin e mëparshëm të tij të hedhur poshtë nga një gjykatë federale.

Shteti perëndimor i Uashingtonit, që ka luajtur një rol udhëheqës në rezistencën ndaj urdhrit të parë të presidentit, i kërkoi një gjykate federale në Siatëll të konfirmojë se vendimi që pezulloi urdhrin e parë të presidentit gjen zbatim edhe tek versioni i rishikuar i Shtëpisë së Bardhë.

Bob Ferguson, prokurori i përgjithshëm i shtetit të Uashingtonit tha se shteti ka një argument ligjor të fortë.

Urdhri i i presidentit është më pak kufizues se varianti origjinal i tij, tha zoti Ferguson, por kjo nuk do të thotë se ka zgjidhur problemet kushtetuese të tij.

Shtetet e Oregonit, Minesotës dhe Nju Jork-ut i janë bashkuar veprimit ligjor të shtetit Washington. Masaçusetsi njoftoi mbrëmë vonë se gjithashtu, do të marrë pjesë kur të dorëzohet ankimimi i ndryshuar javën e ardhshme.

Të hënën zoti Trump nënshkroi një urdhër të ri ekzekutiv që hyn në fuqi më 16 mars. Ai ndalon udhëtimin drejt Amerikës për një periudhë tre mujore, të shtetasve të gjashtë vendeve, Iranit, Libisë, Somalisë, Sudanit, Sirisë dhe Jemenit. Gjithashut pezullohet për katër muaj programi i strehimit të refugjatëve në SHBA.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG