Lidhje

Shkarkohet zyrtarisht presidentja e Koresë së Jugut


Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut me një vendim të njëzëshëm shkarkoi zyrtarisht sot nga detyra presidenten Park Geun-hye, që u shpall fajtore për korrupsion.

Shefi i përkohshëm i Drejtësisë Lee Jung-mi lexoi vendimin në televizionin kombëtar. Ai tha se veprimet e zonjës Park në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, janë tradhti ndaj besimit të publikut.

Gjykata citon si "shkelje të rënda" të Kushtetutës akuzat se zonja Park komplotoi në bashkëpunim me miken e saj të vjetër zonjën Choi Soon Sil, duke zhvatur nga kompanitë koreane më shumë se 69 milionë dollarë dhe duke i detyruar ato t’i dhurojnë paratë dy fondacioneve të dyshimta.

Zonja Park i ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat.

Sipas kushtetutës, Presidenti i përkohshëm njëkohësisht Kryeministri Hwang Kyo-ahn duhet të planifikojë brenda 60 ditëve mbatjen e zgjedhje të reja presidenciale.

Zëdhënësi i departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner tha se “SHBA do të vazhdojnë të punojnë me kryeministrin Hwang për pjesën e mbetur të mandatit të tij si president i përkohshëm”.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG