Lidhje

Shqipëri, partitë opozitare kushtëzojnë regjistrimin në zgjedhje me qeverinë teknike


Ndërsa protesta e opozitës para selisë së qeverisë ka mbushur tre javë, situata ka marrë një kthesë të fortë sot. Mbi 20 parti opozitare iu drejtuan me një shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke njoftuar se nuk do të regjistrohen për në garën e 18 qershori të ardhshëm.

Opozita nuk regjistrohet në zgjedhje
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:27 0:00

Në letër shkruhet se "duke vlerësuar momentin kritik për Shqipërinë dhe shqiptarët, për shkak të kërcënimit serioz dhe real të zgjedhjeve dhe të votës së lirë dhe të ndershme nga krimi dhe droga me lidhje qeveritare", partitë e opozitës kanë vendosur "të mos paraqesin kërkesë për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore në KQZ, dhe rrjedhimisht as si koalicion zgjedhor në shkallë vendi, deri në momentin e arritjes së një marrëveshjeje politike që siguron realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri, përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike që do të sigurojë zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit, luftën efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës, si dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme ku qytetarët shqiptarë të kenë mundësi të votojnë të lirë".

Vendimi i zyrtarizuar sot u mor dy ditë më parë. Kreu demokrat Lulzim Basha refuzon ta quajë këtë veprim një bojkot të zgjedhjeve, pasi sipas tij opozita nuk do të lejojë që të ketë një proces zgjedhor pa u ndryshuar më parë qeveria: “Nuk ka për të patur bojkot zgjedhjesh, sepse zgjedhje fasadë me krimin, nuk do të ketë. Qytetarët shqiptarë janë të vendosur. Rezistenca civile, mosbindja civile, armata e republikës së re do të pengojë me të gjitha mjetet popullore, qytetare, demokratike dhe paqësore, zgjedhjet me krimin, zgjedhjet me drogën dhe zgjedhjet fasadë. Zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur më në Shqipëri”.

Vendimi i sotëm praktikisht krijon një situatë ngërci dhe të komplikuar. Ndonëse teknikisht zgjidhjet janë, një proces ku në bllok opozita refuzon të marrë pjesë, do të kishte pikëpyetje të mëdha mbi legjitimitetin e vet, ndërkohë që do të rrezikonte të ushqente një acarim të skajshëm të situatës.

XS
SM
MD
LG