Lidhje

SHBA, Presidenti Trump së shpejti paraqet buxhetin


Presidenti amerikan Donald Trump do të paraqesë këtë javë një projektbuxhet që parashikon rritje masive të shpenzimeve ushtarake dhe ulje të programeve të tjera federale.

Propozimi, që pritet të paraqitet të enjten, do të ofrojë një vështrim më të hollësishëm se si Presidenti Trump synon të verë në zbatim politikën e tij "Amerika e Para".

Buxheti ka të ngjarë të përballet me kundërshtime të fuqishme në Kongres, ku ligjvënësit qysh tani po debatojnë ashpër rreth një plani për të riparuar programin e kujdesit shëndetësor të vendit.

Shumë nga republikanët e zotit Trump e mbështesin planin e tij për një forcë më të madhe ushtarake por, ndryshe nga Presidenti, disa prej tyre kërkojnë të paguajnë për ushtrinë duke bërë shkurtime në fondet e Sigurimeve Shoqërore dhe në kujdesin shëndetësor për të moshuarit, dy programet më të mëdha federale.

Demokratët janë alarmuar nga propozimi në përgjithësi, veçanërisht nga plani i Presidentit për të shkurtuar programet që synojnë mbrojtjen e mjedisit dhe ndihmat për të varfërit.

Ligjvënës nga të dyja partitë kanë shprehur gjithashtu shqetësime rreth shkurtimeve të mëdha të propozuara nga zoti Trump për Departamentin e Shtetit dhe për ndihmën për jashtë, që sipas tyre do të ulnin ndikimin e SHBA jashtë vendit.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë theksojnë se propozimet e presidentit janë thjesht një projekt. Në fund, thonë ata, është Kongresi që duhet të bjerë dakord me një buxhet përfundimtar, por disa vendime të vështira duhet të merren.

Në një draft të publikuar muajin e kaluar, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se zoti Trump synon të rrisë buxhetin ushtarak me 54 miliardë dollarë, një nga rritjet më të mëdha në shpenzimet e mbrojtjes kombëtare. Propozimi i kësaj jave do të shpjegojë se si ka ndërmend presidenti të paguajë për një shtesë të tillë.

Sipas dokumenteve të buxhetit që i janë dhënë jozyrtarisht mediave, Presidenti Trump do ta kompensojë rritjen e kostos ushtarake me reduktime të gjera të shpenzimeve për agjencitë e ndryshme qeveritare.

Zoti Trump thuhet se po shqyrton mundësinë për një ulje deri në 25 të buxhetit për Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit, 30 për qind për Departamentin e Energjisë dhe 37 për qind për Departamentin e Shtetit dhe ndihmën për jashtë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG