Lidhje

Turqia refuzon thirrjet e BE për vetëpërmbajtje


Turqia po refuzon thirrjet e Bashkimit Evropian për vetëpërmbajtje pasi Ankaraja pezulloi marrëdhëniet e nivelit të lartë me Holandën si pjesë e një serie sanksionesh ndaj autoriteteve holandeze.

Ditët e fundit, Holanda nuk lejoi dy ministra turq të merrnin pjesë në mitingje në mbështetje të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Zëvendës kryeministri turk Numan Kurtulmus u tha gazetarëve se këto masa do të vazhdojnë derisa Holanda të ndërmarrë hapa për të rishikuar veprimet e saj:

"Është një krizë shumë e thellë të cilën nuk e krijuam ne. Nuk ishim ne që e planifikuam. Ata që bënë që kjo krizë të vinte deri këtu janë përgjegjës për të eleminuar shkaqet e saj."

Dy vendet janë përplasur prej ditësh pasi ministri i jashtëm turk dhe ministrja e çështjeve të familjes, nuk u lejuan të merrnin pjesë në mitingje që synonin të nxisnin mbështetjen për një referendum, i cili pritet t’i japë më shumë pushtet zotit Erdogan.

Erdogan është kritikuar për akuzat se Holanda po vepron si nazistët duke ndaluar ministrat e tij të merrnin pjesë në mitingje.

Kryeministri holandez Mark Rutte e quajti akuzën një “deklaratë të çmendur”. Udhëheqësi holandez përballet me betejën e rizgjedhjes në votimin e nesërm kundrejt rivalit të partisë anti-islame, Geert Wilders.

Sanksionet e vendosura nga Turqia ndaj Amsterdamit përfshijnë ndalimin e kthimit të ambasadorit holandez, i cili ndodhet jashtë vendit, dhe pezullimin e vizitave diplomatike.

XS
SM
MD
LG