Lidhje

Trump, Merkel dhe marrëdhëniet me Rusinë


Takimi i parashikuar për sot mes Presidentit Donald Trump dhe kancelares gjermane Angela Merkel është shtyrë për të premten si pasojë e një stuhie dëbore që ka prekur verilindjen amerikane.

Presidenti amerikan Donald Trump ka në plan të bisedojë me Kancelaren gjermane rreth përvojës së saj me presidentin rus Vladimir Putin. Një zyrtar i lartë i administratës tha se presidenti amerikan do të kishte shumë interes të mësonte më shumë nga Kancelarja ndërsa përgatitet të angazhohet me udhëheqësin e Kremlinit.

Kritikët nga të dyja anët e Atlantikut kanë shprehur dyshime rreth asaj që e shohin si naivitet nga ana e zotit Trump kur flitet për zotin Putin, kryesisht lidhur me përpjekjen e Kremlinit për të influencuar zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Në një takim me gazetarët, katër zyrtarë amerikanë thanë se presidenti kërkon të tejkalojë dallimet e tij me udhëheqësen gjermane dhe të formojë qëndrime të përbashkëta e të fuqishme për çështje të ndryshme si tregtia, lufta kibernetike e Kremlinit dhe pushtimi i disa rajoneve të Ukrainës nga Rusia.

Gjatë fushatës presidenciale, zoti Trump akuzoi zonjën Merkel se po “e shkatërronte Gjermaninë” me politikat e saj për lejimin e një numri të madh refugjatësh.

Kancelarja, e cilai njihej për lidhjet e forta me ish-presidentin Barack Obama, ka kritikuar ndalimin e përkohëshem të udhëtimeve nga presidenti aktual, duke thënë se “vënia nën një dyshim të përgjithshëm e njerëzve nga një origjinë ose besim fetar i caktuar është e pajusftifikuar”.

XS
SM
MD
LG