Lidhje

Polonia kërkon ekstradimin e të akuzuarit nazist


Polonia thotë se do të kërkojë arrestimin dhe ekstradimin e një personi të moshuar në Minesota, i identifikuar nga agjencia e lajmeve Associated Press si ish komandant nazist, përgjegjës për masakrimin e 44 civilëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Agjencia Associated Press thotë se 98 vjeçari Michael Karkoc, i cili jeton në Mineapolis, ka qënë komandant i Legjionit Ukrainas Vetmbrojtës të udhëhequr nga njësia naziste, SS. Associated Press pretendon se Karkoc urdhëroi ushtarët që të sulmonin një fshat polak si hakmarrje për vrasjen e një oficeri SS. Autoritetet polake shprehin siguri se Karkoc është njeriu i kërkuar. Andrzej Pozorski është hetues polak.

“Mbledhja e dëshmive në kërkim të individëve përgjegjës, që në këtë rast është gjenocid dhe krim kundër njerëzimit, është një sukses i madh në vetvete. Rasti tregon se një mundësi e tillë ende egziston ose të paktën kemi një shans për të sjellë para drejtësie përsonat përgjegjës. Nuk duhet të ndalojë ndjekja e të dyshuarve për krime për aq kohë sa egziston edhe mundësia më e vogël për vënien e drejtësisë.”

Associated Press thotë se Karkoc i gënjeu autoritetet amerikane të imigracionit pas luftës para se të vendosej në shtetin Minesota. Familja e tij i quan akuzat “shpifje skandaloze dhe të pabaza” dhe thotë se faktikisht ai ishte pjesë e një grupi të fshehtë që luftoi nazistët.

Nga ana tjetër, Associated Press thotë se dëshmitë kundër Karkoc vijnë nga ushtarë të tjerë dhe dokumente të kohës së luftës, përfshi ditarin e vetë atij në gjuhën ukrainase. Karkoc vuan nga sëmundja Alzheimer. Prokurorët gjermanë hoqën dorë nga çështja e tyre kundër tij në vitin 2015 pasi mjekët amerikanë thanë se ai nuk ishte në gjendje shëndetësore për të dalë në gjyq.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG