Lidhje

14 milionë amerikanë mund të humbasin sigurimet


Zyra e Buxhetit e Kongresit amerikan thotë se 14 milionë njerëz do të humbasin sigurimin shëndetësor në vitin e ardhshëm nëse Kongresi miraton planin republikan për të zëvendësuar ligjin aktual të kujdesit shëndetësor, të njohur si “Obamacare”.

Zyra e Buxhetit në Kongres, një grup ekonomistësh dhe analistësh buxhetorë jopartiakë, të hënën publikoi raportin e saj mbi koston e propozimit të presidentit Donald Trump, të mbështetur në premtimet e fushatës, për të riparuar sistemin shëndetësor të implementuar nga paraardhësi i tij, Barack Obama. Presidenti Trump dhe republikanët e tjerë thonë se sistemi i tanishëm është shumë i shtrenjtë dhe padrejtësisht i detyron njerëzit të blejnë sigurim shëndetësor.

Raporti thotë se në qoftë se plani republikan miratohet, numri i njerëzve të pasiguruar në vitin 2018 do të rritej me 14 milionë, duke e çuar totalin e tyre në 41 milionë. Deri në vitin 2026, ky numër do të arrinte në 52 milionë të pasiguruar, në krahasim me 28 milionë që do të ishin pa sigurime shëndetësore nëse do të mbetej në fuqi sistemi i Presidentit Obama.

Ligji i kujdesit shëndetësor i miratuar në vitin 2010 ishte një nga programet dhe arritjet kryesore të presidentit Obama, dhe mbuloi 20 milionë njerëz të cilët më parë nuk kishin sigurime.

Zyra e Buxhetit tha se plani i ri republikan do të shkurtonte defiçitin federal me 337 miliardë dollarë deri në vitin 2026. Duke bërë një krahasim me këtë vit, Zyra e Buxhetit përllogarit se në vitin 2017, qeveria federale do të shpenzojë 4 trilionë dollarë që do t’i shtojnë 559 miliardë dollarë defiçitit të tanishëm.

Sekretari i Departamentit të Shëndetit, Tom Price kritikoi raportin, duke u thënë gazetarëve para Shtëpisë së Bardhë se Zyra e Kongresit për Buxhetin kishte vlerësuar vetëm një pjesë të planit të ri të republikanëve për kujdesin shëndetësor. Ai tha se është "e pamundur" që plani të lërë 14 milionë njerëz pa sigurim shëndetësor, pasi në bazë të parimeve mbi të cilat është ndërtuar ligji, njerëzit mund të zgjedhin vetë sigurimin e tyre, në vend se qeveria të vendosë për planin e tyre.

Sekretari Price tha gjithashtu se Zyra e Buxhetit nuk ka marrë në konsideratë të gjithë elementët që do të jenë pjesë e planit, duke përfshirë edhe legjislacionin në pritje për reformimin e tregut të sigurimeve.

Raporti i Zyrës së Kongresit për Buxhetin thotë se në vitet e para kostoja e sigurimeve shëndetësore pritet të rritet, para se të bjerë duke filluar në vitin 2020. Sipas raportit, dispozitat e ligjit republikan do të lejojnë kompanitë e sigurimeve të faturojnë të moshuarit pesë herë më shumë se sa të rinjtë, në krahasim me tre herë më shumë që është në ligjin aktual.

Plani i ri do të eliminonte të ashtuquajturin mandat individual, i cili i detyron njërëzit të blejnë sigurim shëndetësor ose të përballen me gjoba ndëshkuese.

"Shumica e reduktimeve të numrit të atyre me sigurime shëndetësore në vitin 2018 dhe 2019 do të jetë pasojë e shfuqizimit të ndëshkimit që lidhet me mandatin individual", thuhet në raportin e Zyrës së Buxhetit. "Disa nga ata njerëz do të vendosin të mos kenë sigurim, ndërsa aktualisht ata paguajnë për sigurm shëndetësor për të shmangur gjobën. Dhe disa njerëz të tjerë do të heqin dorë nga sigurimet për shkak të kostos së lartë."

Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi u bëri thirrje republikanëve që të tërheqin ligjin e tyre të kujdesit shëndetësor, duke thënë se kjo është "e vetmja gjë e mirë që mund të bëhet." Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, ka thënë: "Projekt-ligji i administratës Trump do të jetë një kokëçarje e madhe për popullin amerikan." Ai thotë se ligji i republikanëve është në dobi të shtresës së pasur ndërsa i injoron të tjerët."

Presidenti Trump ka premtuar se plani i tij shëndetësore do të "të mbulojë të gjithë" dhe do të ofrojë sigurime më të lira për individë dhe grupe të vogla të njerëzve që i blejnë vetë sigurimet në vend se t’i marrin ato përmes punëdhënësve.

Ligjvënësit republikanë duan të ruajnë dy nga klauzolat më të pëlqyera të ligjit Obamacare, t’u ndalojnë kompanive të sigurimit refuzimin e personave për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, dhe do të lejojë të rinjtë deri në moshën 26 vjeç të qëndrojnë në sigurimet shëndetësore të prindërve të tyre.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG