Lidhje

Tillerson në Azi dhe mungesa e shtypit


Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson fillon këtë javë një udhëtim në disa vende aziatike. Një nga çështjet kryesore që do të trajtohen në diskutime janë provokimet e Koresë së Veriut. Por ndryshe nga tradita, këtë herë Sekretari i Shtetit nuk shoqërohet në avion nga gazetarë amerikanë. Një numër gazetarësh veteranë dhe analistë të politikës së jashtme kanë shprehur zemërim dhe vëzhgues të diplomacisë janë të shqetësuar që zoti Tillerson po qëndron larg shtypit në muajin e tij të parë në postin e Sekretarit të Shtetit.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson u prit mire nga shtypi në ditën e tij të parë në detyrë, më 2 shkurt.

Por që atëhere, ai u është shmangur pyetjeve të gazetarëve.

Vendimi për të ndryshuar traditën në udhëtimin e tij të parë të rëndësishëm në Azi, në një kohë kur provat me raketë të Koresë së Veriut janë një lajm kryesor, ka ngritur një sërë pikëpyetjesh.

“Nuk mundem të citoj hollësi për udhëtimet e sekretarëve të shtetit ndër vite, por gjatë rreth 40 vjetëve që unë punoj në Deparatmentin e Shtetit, sekretarët e kanë vlerësuar shtypin, prandaj kërkonin që ata t’i shoqëronin në udhëtime për një numër arsyesh.”

Ish ambasadorja amerikane Laura Kennedy tha se mungesa medias në udhëtimin e zotit Tillerson është për të ardhur keq, sidomos ngaqë një nga vendet që do të vizitojë ai është Kina.

"Mendoj se vizita në Kinë është një rast i veçantë, pasi ky vend nuk ka shtyp të lirë dhe kur Sekretari i Shtetit nuk merr me vete gazetarë, kjo çon një sinjal të keq përsa i përket nxitjes së vlerave të një shtypi të lirë, që është një tipar thelbësor i Shteteve të Bashkuara.”

Zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, u pyet për këtë çështje në një konferencë shtypi:

“Ky nuk është mesazhi që ne synojmë të japim”, tha ai.

Të premten, Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha se zoti Tillerson do të udhëtojë me një avion më të vogël, duke mbajtur parasysh shpenzimet.

“Ne nuk përfshihemi tek hollësitë e udhëtimit të çdo anëtari të kabinetit. Por shqetësimi i disa prej kolegëve tuaj na bën që tjetër herë ta kemi parasysh këtë çështje, për të udhëtuar me një avion më të madh,”- tha ai.

Departamenti i Shtetit thotë se zoti Tillerson do të japë konferencë shtypi gjatë ndalesës së tij në Japoni.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG