Lidhje

Qytetarët vullnetarë në kufirin SHBA-Meksikë


15 vjet më parë, Glenn Spencer u zhvendos në kufirin jugur për të ndjekur një pasion: “sigurimin e kufirit”. Kalifornezi thotë se ka kapur dhe ka raportuar disa shkelës të kufirit duke përdorur një teknologji të avancuar dronësh. Ai nuk shpreh asnjë keqardhje për jetët e atyre që ka ndihmuar të kapen. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ramon Taylor na çon në fermën e tij në Cochise të Arizonës.

Glenn Spencer nuk është roje kufitare por kjo nuk e ka ndalur atë të zhvillojë teknologjinë e tij të dronëve për të monitoruar kufirin Meksikë-SHBA.

“Kompjuteri të siguron informacion për pesë milje, dhe kur ndodh diçka, të paralajmëron.”

Për Spencer-in, organizata e të cilit ‘American Border Patrol’ radhitet në listën e grupeve të urrejtjes nga Qendra Southern Poverty Law, çdo mision mbart pasoja të rënda për imigrantët pa dokumenta që rrezikojnë jetën duke kaluar në shkretëtirën Sonoran. Megjithëse nuk e di numrin e saktë, ai krenohet se ka raportuar qindra imigrantë pa dokumente që kanë kaluar kufirin gjatë një periudhe 15 vjeçare.

Spencer thotë se ka derdhur një milion dollarë nga paratë e tij në këtë operacion. Ai e konsideron këtë punë si qëllimin e jetës së tij.

“Fillova të gërmoj e të gërmoj. Dhe sa më shumë gërmoja, aq më shumë shqetësohesha …”

Misioni i Spencer-it është të demaskojë të ashtuquaturën të vërtetë rreth imigracionit të paligjshëm. Por pretendimet e tij variojnë nga ato të pabesueshme, në konspiracion të plotë, përfshi besimin e tij se meksikanët po komplotojnë të marrin pjesën jugperendimore të Amerikës duke depërtuar në elektoratin amerikan. Ai ankohet se demografia po ndryshon, në mënyrë që të bardhët të mos jenë më shumica.

“Nuk është e natyrshme. Pjesa më e madhe e kësaj shkaktohet nga imigracioni i paligjshëm dhe ata që i quajnë të lindurit në vend nga imigrantët. Më pas ndodh ribashkimi familjar. Mendoj se duhet ta ndalim këtë proces pasi në se do të ketë një bllok të fuqishëm hispanikësh, dhe këtë e kanë thënë ata vetë, do të bëhen grupi përcaktues në zgjedhje.”

Organizatorja e komunitetit Juanita Molina thotë se përgjatë kufirit jugor, ka shumë banorë që janë të një mendje e që i shohin imigrantët si problem.

“E sheh këtë tendencë, e sheh në këtë administratë të re. Kjo ndjenjë se Amerika që ata njihnin dikur po zhduket dhe po vidhet është një pikëpamje shumë ksenofobe – është pikëpamje raciste.”

Mo Goldman, avokat imigracioni, thotë se ka disa roje vullnetare si Spenceri.

“Ata e shohin veten si patriotë. ‘Do të mbyllim kufirin, do të kapim shkelësit dhe do të njoftojmë policinë kufitare.’ Po të jetë kjo ajo që duan të bëjnë, shumë mirë. Mendoj se shumë njerëz në këtë komunitet mendon se kjo nuk është gjëja e duhur dhe e kundështojnë këtë mentalitet.”

Pas zgjedhjeve amerikane, kompania e Spencer-it po tregon shenja sprapsje. Ai thotë se donacionet janë pakësuar nga njerëzit që besojnë se kanë më në fund një president që do të jetë i rreptë ndaj shkeljeve kufitare. Por me ose pa mbështetje, Spencer nuk ka plane të ndalet. Përsa kohë ka një dron, ai ka ende forcë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG