Lidhje

Ligjvënësit: Nuk kemi prova që zoti Trump të jetë përgjuar


Drejtuesit kryesorë të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin thanë të mërkurën se pretendimi i presidentit Donald Trump se paraardhësi i tij, ish-presidenti Barack Obama, e ka përgjuar në javët para zgjedhjeve të nëntorit është i pabazë.

"Ne nuk kemi ndonjë dëshmi që kjo të ketë ndodhur," tha kryetari i Komisionit, kongresmeni republikan Devin Nunes. "Nuk mendoj se ka pasur ndonjë përgjim të Kullës Trump," tha zoti Nunes, duke iu referuar rezidencës së presidentit në Nju Jork.

Numri dy i Komisionit, demokrati Adam Schiff, përsëriti të njëjtën gjë: "Deri më sot, nuk shoh asnjë dëshmi, nuk ka kurrfarë baze,” tha ai.

Kongresmenët Nunes dhe Schiff thanë se po presin informacione nga Departamenti i Drejtësisë deri të hënën e ardhshme, për të mësuar nëse agjencia ka dijeni rreth ndonjë përgjimi me urdhër gjykate për zotin Trump. Por ata shtuan se deri tani nuk kishin dijeni për ndonjë përgjim të tillë.

Hetimi nga ana e Kongresit ishte kërkuar nga Shtëpia e Bardhë pas deklaratave të bujshme të bëra në Twitter nga zoti Trump më 4 mars se telefonat e tij ishin përgjuar.

Komisioni i zbulimit po heton gjithashtu rreth lidhjeve të mundshme midis ndihmësve të fushatës Trump dhe zyrtarëve rusë përpara dhe pas zgjedhjeve të nëntorit.

Zoti Nunes tha se drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, James Comey, do të dëshmojë të hënën e ardhshme para komisionit të zbulimit rreth pretendimeve për përgjime si dhe rreth hetimeve të FBI-së mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhje për të ndihmuar zotin Trump të fitonte zgjedhjet.

Ndërkohë, një senator i rëndësishëm amerikan, Lindsey Graham i Karolinës së Jugut, thotë se ai është i vendosur t’i shkojë deri në fund çështjes, për të gjetur nëse pretendimi i zotit Trump se atë e kanë përgjuar është i vërtetë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG