Lidhje

Prokuroria: 25 vite burgim për ish deputetin Frroku


Në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sot 25 vite burgim për ish deputetin Mark Frroku, ish kryetar i Partisë KristianDemokrate, pjesë e koalicionit të majtë qeverisës. Ai u arrestua pranverën e vitit të kaluar. Ndaj tij rëndojnë 4 akuza. Më e rënda është ajo e “vrasjes me paramendim në bashkëpunim” të një shqiptari në kryeqytetin belg, Bruksel në vitin 1999, gjatë një parplasjeje mes grupeve që kontrollonin një rrjet prostitucioni. Për këtë akuzë Prokuroria ka kërkuar një dënim me 17 vite vurg.

Ndërsa 15 vite të tjera burgim janë kërkuar për akuzën e “Pastrimit të parave”, dhe 4 të tjera për atë të “Fshehjes së pasurisë”. Sipas Prokurorisë Frroku është dënuar në vitin 2002 edhe nga një gjykatë hollandeze në Amsterdam, për përfshirje në një rrjet narkotrafiku. Pikërisht për shkak të dyshimeve se pasuritë e tij janë vënë përmes aktiviteteve kriminale, vitin e kaluar atij ju sekuestruan disa pasuri të patundshme: 7 apartamente, 2 garazhe, 2 dyqane në Tiranë, Vlore e Lezhë dhe një sipërfaqe tokë arë prej 6 mijë metrash katrorë në Lezhë.

Prokuroria ka kërkuar ndërkohë dhe tre vjet të tjera burgim për akuzën e “Ndërtimeve të paligjshme”. Në fund, në total, prokuroria ka kërkuar dënimin me 25 vite burgim dhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 10 vjeçare. Në fund të muajit pritet që mbrojtja e Frrokut të paraqesë argumentat e saj, përpara se Gjykata të marrë një vendim.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG